Foto: Ilustrim

Prokurorja: Unë nuk e lirova djalin e Ilir Shaqirit

Prokurorja Lumturije Vuçetaj në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se ajo nuk ka lëshuar asnjë vendim mbi lirimin e Gojart Shaqirit, pronarit të kompanisë “Aztech” në Pejë.

“Deri më tani nuk ka vendim që është liruar kështu që unë nuk kam lëshuar vendim për lirim”, ka thënë për KALLXO.com, prokurorja e rastit.

Në anën tjetër pronari i kompanisë “Aztech”, përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, ka deklaruar se është liruar sot në mëngjes.

“Pra, sot është dhënë deklarata para prokurores e cila si duket nuk ka qenë e njoftuar saktësisht për këto masa. Me sqarimin shtesë nga ana e Ministrisë, prokurorja më ka liruar nga mbajtja dhe unë gjendem në gjirin familjarë”, ka shkruar Gojart Shaqiri.

 

Në anën tjetër prokurorja Lumturije Vuçetaj ka deklaruar se ajo nuk e ka intervistuar të dyshuarin, dhe sipas saj ajo nuk ka asnjë informacion se kush e ka intervistuar dhe liruar të dyshuarin.

“Unë nuk e kam marrë në pyetje, nuk është deklaruar pranë meje, nuk ka pas para meje ndonjë prononcim, nuk është bërë asnjë intervistim nga ana ime. Unë nuk kam njohuri që e ka trajtuar një prokuror tjetër që ka marrë deklaratë prej tij”, ka thënë për KALLXO.com prokurorja Lumturije Vuçetaj.

Tutje prokurorja Vuçetaj tha se edhe më tej qëndron prapa vendimit për ndalim të të dyshuarit dhe se sipas saj në veprimet e të njëjtit ka elemente të veprës penale.

“Unë edhe sot qëndroj pranë vendimit për ndalim edhe sot qëndroj pranë pretendimit që ka vepër penale edhe sot qëndroj pranë urdhëresës e cila e jep të drejtën që nuk bën me u ndërhy e asnjëherë nga ana e Ministrisë. Në rastet eventuale për veprimet tona se ne jemi Prokurori, gjithçka në këtë drejtim mund të dërgohet me shkresë që të kërkohet përgjigje nga ana e kryeprokurorit të kësaj Prokurorie”, ka deklaruar prokurorja Lumturije Vuçetaj.

KALLXO.com raportoi dje për arrestimin e pronarit të kompanisë “Aztech” në Pejë, i cili sipas Prokurorisë u arrestua nën dyshimin se ka vepruar në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me masat për parandalimin e coronavirusit.

Sipas burimeve të KALLXO.com i dyshuari është djali i këngëtarit Ilir Shaqiri, Gojart Shaqiri.

Sipas informacioneve të dyshuarit i ishte mbyllur lokali nga inspektorët, por ai e kishte hapur përsëri pas dy ditësh.