Prokurorja speciale kërkon dënimin e Adem Grabovcit dhe të tjerëve në rastin 'Pronto'

Procesi gjyqësor ndaj Adem Grabovcit dhe 10 të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si ‘Pronto’ pritet të përfundojë sot.

Prokurorja e rastit Drita Hajdari, për shkak të tensionit të ulët dhe gjendjes jo të mirë shëndetësore e lexoi ulur fjalën përfundimtare të cilën e dorëzoi me shkrim, por të njëjtën e elaboroi para trupit gjykues.

“Gjatë këtij gjykimi u vërtetua se të akuzuarit duke shfrytëzuar influencën politike kanë mundësuar favorizimin e individëve të caktuar përkundër aftësisë, dijes dhe meritave të personave të cilëve kushtetuta ua garanton trajtim të barabartë. Gjithashtu nga ky gjykim u vërtetua se të akuzuarit kanë shkelur edhe normat morale të shoqërisë duke bërë të ditur se për t`u punësuar duhet të kenë në pushtet ndonjë politikan”, tha prokurorja speciale Drita Hajdari.

“Nuk është sekrete se politika e punësimit në Kosovë qëndron mbi bazën e nepotizmit”, tha prokurorja Drita Hajdari.

Ajo kërkoi nga gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t`i dënojë sipas ligjit.

Sipas prokurores Hajdari, me dënimin e të akuzuarve do t`i tregohej shoqërisë që askush nuk është i paprekshëm nga ligji, do të parandalohej kryerja e veprave penale dhe do të arrihej sundimi i ligjit.

Fjala përfundimtare në rastin `Pronto` – 30.12.2019

Në Gjykatën e Prishtinës u mbajt seanca për rastin “Pronto” ku të akuzuar janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, përfshirë ish-deputetin Adem Grabovci, ish-ministrin Besim Beqaj, ish-deputetin Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministrin Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarin politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtorin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtorin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefen e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Adem Grabovci akuzohet nga Prokuroria Speciale me 9 pika të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Adem Grabovci gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kishte komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë të bordit të drejtorëve  në ndërmarrjet publike, ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’.

Sipas Prokurorisë Speciale, 11 personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.