Prokurorja që u doli në mbrojtje grave duke e "shpartalluar" grupin "AlbKings" në "Telegram"

Elza Bajrami, zëvendëskryeprokurore dhe njëherazi prokurore në Departamentin e Përgjithshëm në Prishtinë, ka njoftuar se është mbyllur përfundimisht grupi “AlbKings” në rrjetin social “Telegram”, në të cilin shpërndaheshin të dhëna personale, emra, mbiemra, numra të telefonit si dhe video e fotografi intime, denigruese kryesisht të vajzave dhe grave.

“Në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimeve Kibernetike, ne kemi arritur që këtë grup ta mbyllim përfundimisht, edhe përkundër faktit që nga mbyllja e parë, ky grup është rihapur për dy herë te tjera. Përfundimisht i njëjti grup është mbyllur”- ka thënë Bajrami.

Këto arrestime janë kryer pasi ky grup ka publikuar pa autorizim edhe numrin e telefonit të një gazetareje të Kallxo.com.

Prokurorja Bajrami në një konferencë për media ka treguar se deri më tani janë arrestuar dhe u është shqiptuar masa e sigurisë 7 personave lidhur me rastin e “AlbKings”.  Sipas Bajramit, një nga 7 të arrestuarit është grua.

“Më datën 23 prill 2024 është ndaluar edhe personi i dytë, i gjinisë femërore, me iniciale E. S., e cila po ashtu duke qenë njëra nga administratorët në grupin në fjalë dyshohet për veprën penale në bashkëkryerje – vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”- ka thënë Bajrami.

“7 persona të dyshuar janë arrestuar. Ju sigurojmë që Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke vazhduar edhe në disa pista të tjera të hetimit, sepse në saje të grumbullimit të informacioneve dyshohet se të njëjtit mund të jenë kryes të disa veprave të tjera penale”- ka shtuar tutje Elza Bajrami.

Prokurorja e rastit shfrytëzoi rastin për t’u bërë thirrje të gjithë vajzave dhe grave që të raportojnë në prokurori nëse kanë qenë viktimë e veprimeve të të dyshuarve.

Një hulumtim i KALLXO.com pati zbuluar se në vend ishte krijuar një grup i cili në kohë rekorde ka arritur të mbledhë mbi 112 mijë anëtarë.

Në grup shpërndaheshin të dhëna personale, emra, mbiemra, numra të telefonit si dhe video e fotografi intime, denigruese kryesisht të vajzave dhe grave.

Pjesë e publikimeve në grup janë edhe fotografi të montuara që njihen si “Deep fake”, të personave, fytyrave publike të cilët kanë reaguar apo raportuar për këtë grup.

“A ka ndonjë foto, qysh me pa ma shumë foto”- shkruan njëri nga anëtarët me emrin e koduar si “Private Account”.

“Sa ke çmimi dhe e kahit?”- është një pyetje tjetër e “Bafto Baftjari” që është pjesë e këtij grupi.

“Rregullat” e grupit dërgohen disa herë që anëtarët të kujdesen që mos t’i shkelin ato.

Në Kosovë, shpërndarja e paautorizuar e fotografive apo pamjeve të tjera është vepër penale e dënueshme me Kodin Penal.

KALLXO.com mëson se Elza Bajrami është prokurore në Prokurorinë e Prishtinës tash e pesë vite.

Bajrami pos rastit të “AlbKings” është prokurore edhe në rastin ku Sinan Vllasaliu akuzohet për shmangie tatimore.

Gjithashtu Bajrami është duke trajtuar rastin e personit i cili shihej në një video duke e goditur një kafshë.

Shënim: Redaksia e KALLXO.com ka vendosur që për shkak të sigurisë kibernetike të gazetarëve të mbulojë emrin e gazetarëve.