Foto nga seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Ferdinand Gjinit: Kallxo.com

Prokurorja: I dënuari për vrasje me pagesë, i lidhur me familjen Elshani

Tabulate të reja të përgjimeve janë zbuluar disa ditë pas vendimit të Gjykatës së Pejës me të cilin katër persona u dënuan me 49 vite burgim nën pretendimet për vrasjen me pagesë të Ferdinand Gjinit.

Në mesin e provave që prokurorja Valbona Disha Haxhosaj ka përmendur edhe disa pretendime se i dënuari Avni Sinanaj ka raporte të shkëlqyera me familjen Elshani.

Sipas Prokurorisë, familja Elshani e kishte njoftuar Avni Sinanajn se vëllai i të vrarit Ferdinand Gjini pas vrasjes së Gjinit po kërkonte vrasës me pagesë për ta vrarë Sinanajn.

“Avni Sinanaj ka raporte të shkëlqyeshme me familjen Elshani dhe sipas kësaj bisede nëse i mungon diçka Avniut, familja Elshani do të hakmerret në këtë porositës”, citohet prokurorja Disha Haxhosaj të ketë thënë në Gjykatë duke cituar një bisedë të përgjuar telefonike.

Me këtë pretendim i dënuari Avni Sinanaj ishte sfiduar në seancë gjyqësore ku ai ishte pyetur se cilat janë lidhjet e tij me Demë Elshanin.

Përgjigja e Sinanajt kishte qenë se nuk e ka shok por e njeh familjarisht.

Javën e kaluar Gjykata e Pejës shpalli vendimin me të cilin  Bekim Raja, që akuzohej se e porositi vrasjen me pagese të Ferdinand Gjinit, u dënua me 15 vjet burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vjet burgim, e Murat Sinanaj me 19 vjet burgim.

Ndërsa i akuzuari Gjon Pnishi, i cili ka bashkëpunuar me Prokurorinë, u dënua nga Gjykata e Pejës me 6 vjet burgim.

Prokuroria pretendon në vitin 2012, nga Zvicra, i pandehuri Bekim Raja e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë frangash zvicerane.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substancë narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Me këtë rast i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Procesi në këtë rast kishte rinisur pasi i pandehuri Pnishi ishte dënuar fillimisht me 18 vjet burgim ndërsa pas dënimit kishte pranuar të bashkëpunonte me Prokurorinë.

Në proces gjyqësor në këtë rast janë përmendur edhe emra të tjerë dhe lidhje të biznesmenit Bekim Raja me deputet të Kuvendit të Kosovës. Në përgjime telefonike Raja kishte kërkuar ndihmën nga babai i tij që të kontaktojë me deputetin Hajdar Beqa ndërsa në një fotografi të publikuar ish-deputeti Beqa dhe Nasim Haradinaj ishin fotografuar duke pirë shampanjë në një jaht.

Që të dy nuk e kanë mohuar takimin ndërsa e kanë përshkruar Rajën si njeri human.

Pas vendimit të shkallës së parë procesi pritet të bartet në Gjykatën e Apelit.