Prokurorja flet në telefon gjatë seancës, gjyqtarja ia tërheq vërejtjen

Prokurorja e Prishtinës, Shemsije Asllani, sot pati probleme të fokusohet në gjykimin e katër personave që kjo prokurore po i akuzon lidhur me një rast të gjuajtjes me armë.

Kjo për shkak se  gjatë seancës i është dashur që disa herë të flasë në telefon.

Kjo shkaktoi tensione me gjyqtaren Nushe Kukaj- Mekaj, e cila tha se prokurorja duhet të kërkojë ndërprerjen e seancës nëse i duhet, e jo të përgjigjet në telefon gjatë seancës

“Prokurore ju kisha lut ose po e ndërpremë seancën nëse jeni shume e zënë”, tha Gjyqtarja.

Prokurorja iu përgjigj se “ka paraburgim”. Sipas gjyqtares kjo nuk është arsyetim.

“Kërko ndërprerje nëse ke paraburgim, kërko leje nëse don me fol në telefon”, i tha Kukaj-Mekaj.

Prokurorja e kritikoi gjyqtaren se nuk e ka parë derisa kjo e ka ngritur dorën për të kërkuar leje.

“Unë e ngrita dorën dhe ju nuk po shihni, ti je në hierarki lart për qeto që me pa poshtë. Kuptoni, që kam paraburgim”, tha prokurorja.

Gjyqtarja insistoi se komunikimi në telefon nuk duhet të bëhet gjatë seancës.

Mekaj në seancën e sotme për këtë rast deklaroi se seanca e kaluar ishte ndërprerë për shkak se prokurorja e rastit Shemsije Asllani kishte kërkuar përjashtimin e saj.

Megjithatë, Prokurorja e kishte tërhequr kërkesën e saj me arsyetimin se kjo kërkesë kishte qenë një nguti nga ana e saj.

Të akuzuar në këtë rast janë Behar Halili, Andrit Rrahmani, Gentrit Shabani dhe Rrahman Rahmani.

Ata akuzohen për vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe lëndim i rëndë trupor.

Prokuroria i vë në barrë se i pandehuri Behar Halili në mars të vitit 2018 në lokalin “Grande Caffe” në Fushë Kosovë, pas një mosmarrëveshje me të pandehurit Andrit Rrahmani, Gentrit Shabani dhe Rrahman Rrahmani me dashje t’i vrasë, nxjerr armën e zjarrit dhe gjuan në drejtim të të pandehurve por arma i bllokohet, i njëjti prapë gjuan me armë edhe pas përleshjes, duke goditur murin e lokalit.

I pandehuri akuzohet se ka përdorur edhe sprejin djegës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi Behar Halili kishte provuar të qëllonte me armë mirëpo revolja nuk kishte shkrepur, tre të pandehurit e tjerë: Andrit Rrahmani, Gentrit Shabani dhe Rrahman Rrahmani e sulmojnë fizikisht Behar Halilin dhe i njëjti dërgohet në QKUK ngase i ishin shkaktuar lëndime të rënda trupore.