Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Dosja: Vrasja me pagesë për borxhin prej 10 mijë eurove

Procesi gjyqësor për vrasjen e Ferdinand Gjinit po i afrohet fundi.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit në Gjykatën e Pejës po gjykohen 4 persona: Bekim Raja, Gjon Pnishi, Murat Sinanaj dhe Avni Sinanaj.

Prokuroria po pretendon se vrasja u krye me pagesë.

Sot palët në procedurë dhanë fjalën përfundimtare.

Prokurorja Valbona Disha Haxhosaj në fjalën përfundimtare tha se është vërtetuar motivi i të akuzuarit Bekim Raja për shtytjen dhe financimin e vrasjes së Ferdinand Gjinit.

Motivi sipas prokurores lidhet me një borxh prej 10 mijë eurove, për shkak të shpenzimeve për blerjen e një shtëpie për të akuzuarin Bekim Raja, shpenzime këto të paguara nga viktimat Mark Kqiraj dhe Ferdinand Gjini.

Kjo ka përfunduar me rrahjen në fshatin Shkukëz mes të lartcekurve.

“Menjëherë pas rrahjes Bekimi e ka thirrur në telefon Mark Kqirajn, e është lajmëruar dëshmitari Martin Berisha, e Bekimi i është drejtuar me fjalët: “Jepja porosinë Mark Kqirajt, ta kam dhanë motrën për gru, kam me ta dhanë edhe vajzën time 9 vjeçe, m’i pritsh Vitin e Ri dhe Krishtlindjet pa t’i lonë fëmijët jetima dhe nanën kam…”, lexoi prokurorja.

Prokurorja tha se 4 muaj pas rrahjes Mark Kqiraj është vrarë para hyrjes se shtëpisë së tij, e 9 muaj pas vrasjes se Mark Kqirajt është tentuar të vritet Pashkë Gjini dhe më 23 qershor 2014 është vrarë Ferdinand Gjini.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt dhe Avni Sinanajt nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që bashkë me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë frangash zvicerane.

Sipas aktakuzës, më 23.6.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substancë narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Me këtë rast i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj.

Javë më parë, KALLXO.com raportoi se të akuzuarit në këtë rast kishin planifikuar të kërkonin ndihmë nga ish-deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.