Astrit Dehari | Foto: LVV

Tomë Gashi: Qëllimisht po zvarriten rezultatet e super ekspertizës për rastin e Astrit Deharit

Kanë kaluar gati tri vjet nga vdekja e Astrit Deharit si dhe më tepër se një vit pa ndonjë rezultat nga super ekspertiza e cila është dërguar në Institutin Zviceran, për të kuptuar se si vdiq Dehari.

Në një prononcim për KALLXO.com, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka thënë se kanë kaluar më tepër se një vit, prej që rasti është dërguar në Zvicër, dhe ende nuk janë siguruar rezultatet e hetimeve të pavarura.

Sipas avokatit Gashi, në këtë rast do të duhej të ishin të involvuar më tepër Prokurori i Shtetit dhe ministri i Drejtësisë.

Tutje avokati Gashi tha se Instituti Zviceran ka kërkuar disa prova shtesë, të cilat nga prokurori i çështjes u janë dërguar para disa muajve.

“Ne jemi njoftuar se gjatë kësaj faze në një moment kanë kërkuar disa  prova shtesë Instituti Zviceran, dhe të njëjtat sipas njoftimeve që i ka marrë nga prokurori i shtetit në Prizren, prokurori i çështjes duket që janë dërguar para disa muajve”, tha avokati Gashi.

Gjithashtu avokati Gashi, shtoi se kjo çështje qëllimisht po zvarritet, duke shtuar se arsyen e kësaj zvarritje nuk e di, por sipas tij gjithçka është në duart e Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezit dhe ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri.

“Mendoj është çështje që tepër qëllimisht po zvarritet, për arsye të cilat ne nuk i dimë, dhe ne nuk mund të bëjmë urgjenca në cilësinë e përfaqësuesit juridik të familjes Dehari. Sigurisht që nuk kemi ndonjë arsye të ndërhyjmë në punën e tyre për të kërkuar rezultat më të shpejtë dhe gjithçka është në duar të kryeprokurorit  Aleksandër Lumezit dhe ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri”, shtoi avokati Gashi.

Si vdiq Astrit Dehari?

Tre muaj pas sulmit të kuvendit një lajm mori vëmendjen e të gjithëve, pasi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016 në rrethana të paqarta kishte vdekur një 26 vjeçar emri i të cilit u bë publik nga vetë partia të cilës i përkiste Arstit Dehari, Lëvizja Vetëvendosje.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Pothuajse tre vjet më pas, vdekja e Deharit ende ka mbetur mister edhe pse në fillim dolën disa versione se ai i kishte marrë jetën vetes.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për Astrit Deharin, u ngritën debate publike, u protestua, u marshua, u mbajtën edhe interpelanca, u kërkua dorëheqja e krerëve të institucione të drejtësisë në atë kohë, por ende nuk u zbulua se si kishte vdekur ai.

Më 8 nëntor të vitit 2016 ishte varrosur Astrit Dehari ndërsa nga rezultatet e autopsisë së të njëjtit, sipas kryeprokurorit të atëhershëm në Prizren, Sylë Hoxha, Astriti kishte pasur probleme me frymëmarrjen.

https://kallxo.com/suspendohen-4-zyrtare-te-qendres-se-paraburgimit-ne-prizren/

 

Me propozim të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, Qeveria e Kosovës ndau 50 mijë euro për mbulimin e kostos së super-ekspertizës që do të hiqte çdo dyshim mbi vdekjen e Astrit Deharit

Prindërit e Astrit Deharit në shkurt të vitit 2017 kishin thënë se ishin përcaktuar që ekspertizën për Deharin ta kryejnë ekspertë zviceranë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën franceze.

Rrugëtimit pothuajse tre vjeçar për zbulimin se çfarë saktësisht i kishte ndodhur aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ende nuk i ka ardhur fundi.

Kjo pasi që hetimet ende vazhdojnë të jenë të hapura dhe ende nuk ka ndonjë ekspertizë ligjore e cila tregon saktësisht se nga çka vdiq Astrit Dehari.

https://kallxo.com/eksperte-nga-zvicra-pritet-ta-hetojne-vdekjen-e-deharit/

.