Ilustrim

Skandali i korrupsionit: Prokuroria kërkon t’u ndalohet zyrtarëve t'i afrohen Ministrisë së Pal Lekajt

Lajmi se disa nga ekzaminerët e dyshuar për korrupsion në skandalin e patentë shofereve kanë nisur të dalin në punë e ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Shtetit. Me një kërkesë të veçante prokuroria ka kërkuar nga gjykata tu ndaloj katër punonjësve të Ministrisë së Infrastrukturës tu ofrohen qendrave të patentë shofereve. Kërkesa është arsyetuar me faktin se prokuroria ka marrë informacione se katër ekzaminerët e dyshuar janë duke punuar si ekzaminer në qendrat e tjera të kësaj ministrie.

Katër ekzaminerët  Defrim Bajraj, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi dhe Besfort Pozhegu po hetohen nga prokuroria për aferën e patente shoferëve.

Në muajin maj dhe qershor policia kishte përgjuar zyrat e qendrës së patente shoferëve në Prishtinë, rezultatet e përgjimeve kishin zbuluar njërën nga aferat më të mëdha të korrupsionit e cila përfundoj me 28 të arrestuar përfshirë dy polic hetues nga njësia që po e trajtonte rastin.

Hetimet e mëtutjeshme të prokurorisë së Prishtinës kanë zbuluar se katër ekzaminerët po vazhdonin të punonin në qendrat e patentëshoferëve dhe për ta ndaluar këtë ka kërkuar nga gjykata që të njëjtëve tu ndalohet ti afrohen qendrave të patentëshoferëve.

Në kërkesën e prokurorisë gjithashtu përmendet korrupsioni zyrtar si një dukuri e shpeshtë në Kosovë si dhe pengesa që po paraqet në integrimin e Republikës së Kosovës në raport me procesin e integrimit Evropian për shkak të jo seriozitetit institucional në ndëshkueshmerinë e kryesve të këtyre veprave.

Seanca dëgjimore ishte caktuar të mbahet sot, mirëpo e njëjta ka dështuar për shkak se i pandehuri Besfort Pozhegu dhe mbrojtësi I tij Besnik Berisha nuk kanë qenë prezent dhe sipas Gjyqtarit të rastit, Kujtim Krasniqit, nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre.

Afera e patentë-shoferëve në Prishtinë ishte ndër temat kryesore gjatë verës.

Dosja e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon për mënyra të ndryshme të kalimit të testeve me marrëveshje paraprake si dhe shumat të cilat kandidatët i paguanin për marrjen e një patentë-shoferi.

Çmimet të cilat paguheshin për marrjen një patentë-shoferi nga kandidatët silleshin prej 400 deri në 1.000 euro, varësisht kategorisë dhe marrëveshjeve paraprake me zyrtarët.

Në dosjen e Prokurorisë përmendet se si zyrtari i patentë-shoferëve Agim Restelica i gjuan paratë të cilat i merr nga zyrtari Naser Llugaliu në tavolinë dhe thotë: “A a u ra çmimi vëlla, a nuk është 400 ma a?“, thuhet në dosje.

Përpos zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës për aferën me patentë-shoferë po dyshohen edhe pronarë të auto-shkollave dhe doktorë.

Avdush dhe Premtim Topalli dyshohen se si pronar të auto-shkollës “Flora”, kanë marrë ryshfet nga kandidatë të ndryshëm në shuma prej 400 deri në 1.000 euro varësisht kategorisë së patentave dhe sipas marrëveshjes paraprake me zyrtarë të patentë-shoferëve.

Ndërsa Shkelqim Statovci, Haki Jashari, Liljana Bozhanic, Ava Kurteshi dhe Burim Jashari dyshohen se kanë marrë ryshfet nga kandidatët e ndryshëm pasi i kanë pajisur me certifikata mjekësore pa i kontrolluar fare.

Sipas Prokurorisë kandidatët paguanin nga 25 euro për marrjen e këtyre certifikatave pa u kontrolluar.

Format më e shpeshtë e kalimit të testit nga kandidatët që kishin marrëveshje me zyrtarët e patentë-shofereve ishte plotësimi i testeve nga ana e ekzaminuesve të testit teorik.

Prokuroria pretendon se për plotësimin e këtyre testeve përkujdeseshin ekzaminuesit Naser Bislimi, Adem Binakaj, Eduard Brahimaj, Azem Miftari, Agim Restelica, Flamur Lekaj dhe Laurat Shehu.

Ekzaminuesi Adem Binakaj dyshohet edhe se kishte hyrë në zyrën e Naser Llugaliut – koordinator për patentë-shofer në Ministrinë e Infrastrukturës bashkë me një kandidat të cilit ia kishte dhënë një test dhe i kishte diktuar përgjigjet e sakta.

Ata dyshohen se në vazhdimësi deri më 5 korrik 2019 kanë mbushur testet në bazë të marrëveshjeve me kandidatë.

Prokuroria e Prishtinës pretendon se listat e kandidatëve kontrolloheshin para se ata t’i nënshtroheshin testit.

Drejtoresha e Qendrës së patentë shoferëve në Prishtinë Filiz Krasniqi dyshohet se bashkë me ekzaminuesin Azem Miftari i kanë shikuar listat e kandidatëve me qëllim të identifikimit të personave për të cilët kanë pasur rekomandime t’i kalojnë në pjesën teorike.

https://kallxo.com/dosja-e-prokurorise-ekzamineri-i-dikton-kandidatit-testin-e-patente-shoferit/

Prokuroria pretendon se Krasniqi mbante disa kopje të listave të personave që kanë për t’iu nënshtruar testit teorik dhe i kishte diktuar disa emra Fejzullah Ejupit i cili ishte në pozitën e zyrtarit administrativ të cilët i kishte shenjëzuar në listën e kandidatëve.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se Naser Llugaliu bashkë me Filiz Krasniqin e kishin shikuar një folder me ngjyrë të zezë, të cilin ua kishte sjellë e dyshuara Filloreta Ajvazi dhe e kishin nxjerrë një test nga dosja dhe e kishin shikuar.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari Naser Llugaliu ishte i kujdesshëm pasi folderin e kishte prekur me një letër nga frika e mbetjes së gjurmëve të gishtave.

Në lidhje me atë dosje, Filiz Krasniqi  i kishte thënë Filloretës: “Shko shtine diku këtë dosje kishe ti nuk din sen”.

Gjatë muajit korrik, Policia e Kosovës kishte arrestuar 23 persona në lidhje me këtë aferë.

https://kallxo.com/skandali-i-patente-shofereve-pergjimet-e-policise-zbulojne-format-e-plotesimit-te-testeve/

Prokuroria e Prishtinës kishte kërkuar paraburgimin për 19 nga të arrestuarit ndërsa Gjykata e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj tyre kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Të gjithë të dyshuarit në seancën dëgjimore ishin deklaruar të pafajshëm për pretendimet ndaj tyre.

Dyshimet mbi policinë

Krahas arrestimit të dhjetëra punonjësve të ministrisë në dosje janë edhe dy eprorë të Krimeve Ekonomike.

Pajisje përgjimi të montuara në zyrat e qendrës për patent-shoferë në Prishtinë pretendohet se kanë zbuluar njërin nga skandalet e fundit që përfshiu njësinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Dy eprorë të kësaj njësie Naim Thaqi e Sylë Bejta u arrestuan para disa javës me dyshimin se kishin zbuluar informacione të hetimeve. Megjithatë mbrojtja ka ngritur dyshime se arrestimi i tyre është qërim hesapesh brenda njësisë pasi, sipas tyre, dy persona për të cilët ka prova nuk janë arrestuar.

KALLXO.com ka siguruar një dokument të prokurorisë ku ndër të tjera përshkruhen veprimet të cilat dy eprorët i kishin ndërmarrë.

Njësia e Krimeve Ekonomike kishte nisur disa muaj më parë një hetim për qendrën e patent-shoferëve në Prishtinë. Në kuadër të këtij hetimi, gjykata kishte autorizuar që në zyrat e qendrës të vendoseshin çimka (paisje të fshehta përgjimi) me qëllim që të zbuloheshin pazaret të cilat kryheshin në këto zyra.

Rezultatet nga analizimi i çimkave çuan në arrestimin e 19 personave përfshirë zyrtarë të patent-shoferëve.

Kur analizuan pamjet e filmuara nga çimkat, njësiti që po kryente përgjimin kuptuan se në dy situata dy eprorët e policisë të njësisë së Krimeve Ekonomike kishin takuar në zyrën e tij njërin nga zyrtarët e patent-shoferëve.

Dy zyrtarët Naim Thaqi e Sylë Bejta ishin duke punuar në njësinë e Prishtinës e cila ishte duke zhvilluar këtë hetim.

Dyshimet e prokurorisë

Dokumenti i KALLXO.com shpjegon se më 15.05.2019, i pandehuri Naim Thaqi kishte qëndruar për pesë minuta në zyrën e koordinatorit të qendrës për patent-shoferë në Prishtinë. Llugaliu në atë kohë ishte duke u përgjuar nga policia.

Prokuroria në provat e saj pretendon se Thaçi e kishte njoftuar Llugaliun për veprimet e ndërmarra nga njësia e krimeve ekonomike.

Në një takim tjetër poashtu të mbajtur me datë 26.06.2019, të dyshuarit Naim Thaqi dhe Sylë Bejta, e kishin njoftuar Llugaliun se ishte nën përcjelljen e policisë.

KALLXO.com ka siguruar edhe pretendimet që Thaqi e Bejta i kanë për këto pretendime në seancën e mbajtur para gjykatësit të procedurës paraprake.

Aty mbrojtja e policit Naim Thaqi ka thënë se ai nuk kishte zbuluar të dhënat por që ditën kur kishte vizituar qendrën kishte shkuar për të paguar paraqitjen e provimit për vajzën.

“Është e vërtetë që klienti është takuar rastësisht me Naser Llugaliun por gjykata duhet ta dijë se Naser Llugaliu është njohës që njihet i mbrojturi im me të që nga para lufta dhe momentin ku konkretisht vëllai i Naseri Fatmiri ka qen në shkollë së bashku andaj me qen se Naseri Llugaliu e ka parë të mbrojturin tim Naim Thaqin e ka ftuar ne zyrën e tij, gjatë këtij qëndrimi i mbrojturi im apsolutikisht as nuk e ka informuar dhe as nuk ka pasur njohuri që është duke u zhvilluar ndonjë hetim tjetër me ndonjë person ne qendrën e regjistrimit të patentë shoferit”, citohet të ketë thënë avokati Fatlum Podvorica.

Në mbrojte të policit tjetër Sylë Bejta është angazhuar ish kryeprokurori i Prishtinës tani avokati Imer Beka. Në procesverbalin e siguruar nga KALLXO.com, avokati Beka ka thënë se klienti i tij ishte vizituar qendrën e regjistrimit me një qëllim tjetër dhe atë për t’i ndihmuar një të afërmi të tij.

Madje në seancë, avokati Beka ka ngritur dyshime se persona të tjerë janë llarguar nga rasti.

“Unë dyshoj që i mbrojturi im rreshteri Sylë Bejta ka insistuar me dit se pse dy persona u larguan nga hetimet, është interesant fakti qe nuk e tha Syla se këta persona janë të një vendi -indikacion se e rrok paniku bartësin e rastit në polici që nuk i ndalu personat që i ka vendas dhe insistimi i rreshterit se për tu gjetur ata person ose arsyeja pse nuk janë përfshi ai gjat arrestimit i kanoset të mbrojturit tim gjate aksionit për  zbatimin e planit për arrestim më ka kanosur me fjalët ki me pa ti poshtë”, citohet avokati Beka.

Në mbrojtjen e tij i pandehuri Sylë Bejta ka deklaruar se me datë 25 ka qenë në stacionin e autobusëve dhe arsyeja e shkuarjes ka qenë se në familjen e gruas e kemi një djalë i cili është rast social pasi që nën dhe babai jetojnë ndaras prej tij.

”Kam shkuar dhe e kam takuar Naserin dhe i kam kërkuar t’i ndihmoj këtij djali ta kalojë testin pasi ai testet në shtëpi po i plotëson mirë por në provim për shkak të stresit është duke dështuar”, citohet Bejta në dokument.

Ai ka kujtuar para gjykatës takimin me të dyshuarën Magbule e cila i kishte përmendur faktin që dy njerëz të fortë nuk janë arrestuar gjatë operacionit.

Dy hetuesit e krimeve ekonomike tashmë janë nën masën e paraqitjes në stacionin policor ndërsa nuk ka të dhëna nëse prokuroria ka trajtuar tutje pretendimet se dy persona të fuqishëm nuk janë arrestuar.