Shtyhet seanca ndaj ish-prokurorit Metush Biraj, i akuzuar për marrje ryshfeti

Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ish-prokurorit Metush Biraj, i akuzuar për marrje ryshfeti dhe të akuzuarve Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani për dhënie ryshfeti, nuk është mbajtur për arsye të mos pajisjes së mbrojtjes me shkresat e lëndës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Metush Biraj, avokati Reshat Millaku kërkoi nga gjykata që seanca e shqyrtimit fillestar të shtyhet me arsyen që mbrojtja nuk është pajisur me shkresat e lëndës.

Propozimin e avokatit Reshat Millaku, për shtyrjen e seancës e mbështetën edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shkodran Pulaj, avokati Rinard Pulaj dhe mbrojtësi i të akuzuarit Naim Osmani, avokati Korab Bokshi.

Prokurorja speciale Shenaj Berisha lidhur me këtë tha se kishte pasur një shënim që mbrojtja këto shkresa i ka marrë, mirëpo nuk e kishte pasur një listë të evidentuar se me cilat shkresa janë pajisur avokatët.

Tutje, gjykata e ka obliguar prokuroren e Prokurorisë Speciale që në afat prej 7 ditësh ta përmbushë afatin ligjor dhe t’i pajisë mbrojtësit me të gjitha shkresat e lëndës.

Tutje, gjyqtari Lutfi Shala mori aktvendim dhe aprovoi propozimin e mbrojtjes për shtyrjen e seancës.

Seanca e shqyrtimit fillestar u caktua për datë tjetër.

Aktakuza ndaj këtij rasti është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, për shkak që kishte të bëjë me një ish-prokuror të atij regjioni. Prokuroria e Prizrenit këtë çështje për gjykim e ka deleguar në Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Ndërsa, Departamenti për Krime të Rënda në Gjilan ka deleguar këtë çështje në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës. Edhe Gjykata e Apelit ka vendosur që ky rast të trajtohet nga Departamenti Special.

Kujtojmë se seanca e datës 26.07.2024 e shqyrtimit fillestar kishte dështuar, pasi që në seancë nuk kishte qenë askush nga Prokuroria Speciale.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Prokuroria Themelore në Gjilan më datë 04.03.2024 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish prokurorit Metush Biraj, Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani.

Sipas aktakuzës, Metush Biraj në cilësi të prokurorit të shtetit në Prokurorinë e Prizrenit, në mes të muajit prill dhe korrik të vitit 2023, ka pranuar ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20,000 euro.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ish-prokurori Biraj e ka pranuar ofertën me kushtin që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në një rast për narkotikë ndaj të akuzuarve Naim  Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Salihu.

Për këtë rast KALLXO.com në vitin 2017 kishte transmetuar filmimet ekskluzive nga aksioni i Policisë  në aksionin e koduar “Lozana”.

Xhirimet ekskluzive kishin shpërfaqur kamuflimin e sasisë së narkotikëve të llojit marihuanë në brendi të dyerve nga druri.

Tutje sipas aktakuzës të pandehurit Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin Metush Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të datës 31.03.2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve.

Ish-prokurori Biraj ishte tërhequr nga rasti për narkotikë në fjalët përfundimtare më 31.03.2023.

Ish-Prokurori Biraj, sipas aktakuzës ngarkohet me veprën penale “Marrje Ryshfeti”, kurse të akuzuarit Shkodran  Pulaj  dhe Naim Osmani akuzohen për “Dhënie ryshfeti”.