Arikiv - FOTO KALLXO

Prokuroria: Jemi duke e trajtuar me prioritet rastin e grave të kthyera nga Siria

Prokuroria Speciale po kërkon përsëri vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj grupit të grave të kthyera nga Siria të cilat po dyshohen se që nga viti 2014 e deri në prill të këtij viti kanë qenë në zonën e konfliktit në Siri e Irak.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur prokurori special Sylë Hoxha.

Hoxha tha se Prokuroria ka bërë përsëri kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak për gratë e kthyera nga Siria.

I pyetur se në cilën fazë ndodhet procedura dhe a mund të pritet së shpejti aktakuzë lidhur me këtë rast, Hoxha për KALLXO.com tha se momentalisht janë në fazën e grumbullimit të provave dhe se shumë shpejt do të dalin me një përfundim, duke theksuar se Prokuroria Speciale është duke e trajtuar me prioritet këtë rast.

“Jemi në fazën e grumbullimit të provave, ne i kemi prioritet ato sepse u bë veç një kohë që jemi duke kërkuar vazhdimin e arrestit shtëpiak, Prokuroria është duke e trajtuar me prioritet këtë rast. Brenda këtij afati që po kërkojmë vazhdimin e arrestit shtëpiak do të dihet se çka do të ndodh me to”, ka thënë për KALLXO.com Sylë Hoxha.

Në anën tjetër mbrojtësja e njërës prej grave të kthyera nga Siria, avokatja Fehmije Bytyqi ka thënë për KALLXO.com se ajo dhe klientja e saj deri më tani nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak.

Në prill 2019, 32 gra janë kthyer nga Siria pas një aksioni masiv të rikthimit të kosovarëve nga atje.

32 të dyshuarve Gjykata e Prishtinës qysh nga muaji prill u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Gratë e kthyera nga Siria pretendohet se kanë qenë duke qëndruar në Siri në kohën e luftimeve, bashkë me burrat përkatësisht baballarët e tyre.

Nga Siria bashkë me rreth 110 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë të kosovarëve që kanë luftuar përkrah grupeve të ndryshme në Siri e Irak, janë kthyer edhe katër të dyshuar për pjesëmarrje si luftëtarë në këto luftëra.

Nga 110 të kthyerit , 32 prej tyre janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra.

Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.

Sipas të dhënave në Siri vazhdojnë të jenë rreth 30 luftëtarë, 49 fëmijë dhe tetë gra.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë rast, raportimet mund t’i gjeni në këtë link.