KPK - 10.05.2019

Monitorimi i BIRN konstaton devijime gjatë zgjedhjes së kryeprokurorëve

Monitorimi i kryer nga Rrjeti Ballkanik për gazetari Hulumtuese (BIRN) ka gjetur se procesi i përzgjedhjes së  Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe atij të Prishtinës ka devijuar nga rregullat  të cilat do garantonin konfidencialitetin e plotë të votave të anëtarëve të komisionit. BIRN gjëti se procesi i ka garantuar kryesuesit të KPK-së, Bahri Hyseni, të ketë qasje në emrat dhe kodet e secilit anëtar të Komisionit duke ditur kështu informacionet se sa pikë ka dhënë secili kandidat.

Monitorimi i kryer gjatë procesit ka zbuluar edhe probleme në mënyrën e vlerësimit të integritetit të kandidatëve e po ashtu procesit të numërimit të poenëve të kandidatëve të cilët kanë qenë në vlerësim proces ky që është drejtuar nga kryesuesi i cili ka ditur edhe kodet e secilit anëtarë të komisionit vlerësues.

Javë më parë, Këshilli Prokurorial vendosi që në krye të Prokurorisë së Prishtinës të vendosej Kujtim Munishi ndërsa në krye të Prokurorisë speciale Blerim Isufaj.

BIRN ka monitoruar procesin gjatë të cilit janë përzgjedhur kandidatët duke konstatuar disa vërejtje në proces.

Rregullorja për emërimin e kyreprokurorëve kishte paraparë në nenet e saj që për të ruajtur konfidencialitetin anëtarët e komisionit të kishin kode në mënyrë që askush të mos e dinte se cili anëtar sa pikë kishte dhënë për kandidatin.

BIRN ka kuptuar se 4 anëtarëve të komisionit kodet ua kishte caktuar kryesuesi i KPK-së Bahri Hyseni duke krijuar kështu një praktikë ku të paktën një njeri dinë se kush fshihet prapa kodit.

Neni 14 i Rregullores nr.06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive  të Republikës së Kosovës ka paraparë që secili anëtar i komisionit vlerësues do ta ketë kodin e veçantë dhe në mënyrë të pavarur dhe konfidenciale do ta poentojë kandidatin menjëherë pas intervistimit.

Në përgjigjen e tyre, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thënë se në takimin e Këshillit është vendosur që autoriteti i vetëm që do të caktojë dhe të jetë në dijeni për kodet e anëtarëve të Panelit Vlerësues të jetë Kryesuesi i Panelit. BIRN ka kërkuar të ketë qasje në vendimin e shkruar të KPK-së për këtë procedurë mirëpo në përgjigje KPK ka thënë se ky është vetëm një vendim verbal e jo i shkruar.

Ekipi i monitoruesve të BIRN do t’i rekomandojë KPK-së që në të ardhmen në raste të tilla kur tentojnë që procesin ta bëjnë konfidencial, përcaktimi i kodeve për anëtarët të kryhet përmes tërheqjes së shortit, proces ky që do garantonte që askush të mos ishte në njohuri se cili anëtar sa poenë ka dhënë për kandidatit.

Procesi i grumbullimit të pikëve

Gjatë monitorimit BIRN ka identifikuar edhe paqartësi në mënyrën se si pikët e dhëna nga anëtarët e komisionit janë mbledhur dhe shkruar në procesverbal.

Pasi kanë përfunduar me intervistat e kandidatëve, anëtarët e komisionit i kanë vendosur pikët në formularin e tyre. Tutje pikët janë mbledhur për të nxjerrë mesataren e pikëve për secilin kandidat.

Mënyra e grumbullimit të pikëve për secilin kandidat është e rregulluar me Nenin 14 që rregullon procesin e poentimit.

“Pas poentimit të kandidatit, të gjitha fletëpoentimet dorëzohen në Sekretariat, i cili është përgjegjës për kalkulimin e rezultatit përfundimtar për secilin kandidat”, thuhet në pikën 3 të nenit 14 të Rregullores.

“Rezultati përfundimtar i poentimit për një kandidat do të përllogaritet nga Sekretariati duke mbledhur pikët e dhëna një kandidati nga secili anëtar i panelit vlerësues dhe më pas duke i  përpjesëtuar me numrin e anëtarëve të panelit vlerësues”, thuhet në pikën pasuese, pikën 4 të këtij neni.

BIRN ka gjetur se grumbullimin e pikëve nuk e ka kryer sekretariat por kryesuesi Bahri Hyseni i cili ka pasur qasje edhe në të dhënën se secili anëtar cilin kod e përmend.

Monitorimi ka gjetur se Hyseni i ka hapur zarfet në të cilat ishin pikët që kishin vendosur për kolegët e tij për secilin kandidat. Hyseni i ka shikuar dhe ia ka diktuar zyrtarit të Sekretariatit i cili vetëm i ka vendosur në sistem pikët nga secili anëtar.

Në përgjigjen e tyre, Këshilli ka thënë se procesi ka qenë në rregull pasi, sipas tyre, mbledhja e pikëve sipas rregullores kryhet nën mbikëqyrjen e kryesuesit të Komisionit.

“Kryesuesi i Panelit Vlerësues në bashkëpunim me dy zyrtarët e Sekretariatit kanë përllogaritur poentimin dhe vetëm ne fund Kryesuesi i Panelit ka kumtuar rezultatin para të gjithë të pranishmëve, kjo nënkupton se dy zyrtarët e Sekretariatit kanë qenë përgjegjës për vendosjen e pikëve në tabelat e kalkulimit dhe përllogaritjen e këtyre pikëve, ashtu siç parashihet me Rregullore ndërsa Kryesuesi ka qëndruar afër tyre me qëllim të mbikëqyrës”, thuhet në përgjigjen e Këshillit.

Procesi i vlerësimit

Gjatë monitorimit të procesit për emërimin e kryeprokurorëve, BIRN ka gjetur edhe se poentimi i kandidatëve të intervistuar nuk është bërë menjëherë pas intervistimit të kandidatëve, mirëpo Komisioni ka hapur diskutime për përgjigjet e dhëna nga kandidatët para se të vendosen pikët. Pas diskutimeve, kur anëtarët e komisionit kanë bërë komente për paraqitjen e të intervistuarve, është bërë poentimi i kandidatëve.

Kjo është në kundërshtim me praktikën e aplikuar nga BDO-ja, kompania angleze që i ofron asistencë institucioneve në rekrutim. Në intervistat e organizuara me asistencë të BDO-së, anëtarët e komisionit fillimisht bëjnë poentimin e kandidatëve dhe pastaj i bëjnë publike pikët që i kanë dhënë. Pasi të bëhen publike të gjitha pikët e dhëna, anëtarët e komisionit japin komente për performancën e kandidatit kryesisht me qëllim të argumentimit të pikëve që i kanë dhënë. BDO-ja kërkon shumë më shumë sqarime nga anëtarët e komisionit, në rast se ka diskrepanca të mëdha në poentim për një kandidat.

Procesi ka pasur edhe dobësi të tjera pasi anëtarët e komisionit nuk kanë mbajtur shënime të cilat më pas do përdoreshin për të vlerësuar kandidatët.

BIRN ka gjetur se anëtarët e komisionit nuk kanë mbajtur shënime gjatë intervistës dhe si rezultat i kësaj, gjatë vlerësimit ata nuk kishin të dhëna ku do ta bazonin vlerësimin e tyre.

Lidhur me këtë gjetje, KPK ka deklaruar se ka qenë kompetence e secilit anëtar të komisionit të vlerësojë sa shënime të marrë dhe në bazë të tyre i kanë arsyetuar në fund poenët për kandidatët.

Vlerësimi i integritetit

Njëri nga kriteret e vlerësimit të kandidatëve për kryeprokurorë është edhe vlerësimi i integritetit të kandidatëve.

BIRN gjeti se në rregullore nuk janë përcaktuar kriteret për vlerësimin e integritetit të prokurorëve, gjë e cila ka ndikuar edhe në diferencën e rezultatit në mes të kandidatëve.

Pikërisht për mungesë të arsyetimit të pikëve nga ana e panelit intervistues dhe dallimit të madh në poenët për integritet, Komisioni i ankesave e ka kthyer për rivlerësim te paneli intervistues procesin për kandidatet që ishin ankuar.

Në përgjigjen e tyre Këshilli Prokurorial ka deklaruar se për matjen e integritetit janë shërbyer me informata që kanë pasur të bëjnë me evidencat penale ndaj tyre, masat disiplinore, informata tjera relevante të pranuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.