Ilustrim

Mitrovicë: Aktakuzë për incidentin në ditën e zgjedhjeve

Prokuroria e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, ndaj të cilëve po pretendohet se ditën e zgjedhjeve kanë penguar procesin e votimit, pasi që e kanë goditur një person me grushte në kokë, qafë dhe fytyrë, duke rezultuar kështu me ndërprerje të procesit të votimit në atë vendvotim.

Sipas Prokurorisë në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 06 tetor 2019, në shkollën e mesme të ulët të fshatit Kçiq i Madh të Mitrovicës, tre të pandehurit A. B., I. B., dhe D. B. duke vepruar në bashkëkryerje, me përdorim të forcës ndaj personit F. K., zyrtar i tavolinës ndihmëse i emëruar nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës, e kanë sulmuar fizikisht të njëjtin, me ç ‘rast kanë penguar procesin e votimit, i cili ka rezultuar me ndërprerje të procesit të votimit.

Prokuroria pretendon se i dëmtuari F. K., nga goditjet e marra ka pësuar ndrydhje të indeve të buta të regjionit pas veshit të majtë, qafës dhe gërvishtje pas veshit të majtë.

Me kryerjen e këtyre veprimeve sipas Prokurorisë tre të pandehurit A. B., I. B., dhe D. B., kanë kryer veprat penale të pengimit të procesit të votimit si dhe lëndim i lehtë trupor.