Hetimet për masakrën e Reçakut, flet prokurorja speciale

Sot bëhen 21 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.

Kjo masakër ishte cilësuar si krim kundër njerëzimit nga kreu i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së, ambasadori William Walker.

Hetimet për masakrën e Reçakut i ka marrë përsipër Prokuroria Speciale e Kosovës, respektivisht prokurorja Drita Hajdari.

“Hetimin për masakrën e Reçakut e kam hapur vitin e kaluar pas pranimit të kompetencave për rastet e Krimeve të Luftës nga Prokuroria e EULEX-it”, ka deklaruar sot prokurorja Hajdari.

E njëjta ka thënë se rasti është duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës nga Policia e Kosovës.

“Deri tani kemi mbledhur raportet e autopsisë për viktimat, janë intervistuar dëshmitarë. Pra ata (dëshmitarë) që i kanë mbijetuar dhe dëshmitarë tjerë të drejtpërdrejt”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Ajo ka deklaruar se pos dëshmitarëve janë duke u mbledhur edhe prova tjera dhe informata tjera lidhur me këtë masakër.

Duke marrë parasysh se është fjala për një prej masakrave më të mëdha që kanë ndodhur në Kosovë, sipas prokurores Drita Hajdari ky hetim kërkon kohë dhe angazhim.

Prokuroria pos që po i heton të dyshuarit dhe kryerësit e drejtpërdrejt të kësaj masakre, po hetohet dhe po analizohet edhe përgjegjësia komanduese për masakrën e Reçakut. Hajdari ka bërë të ditur se përpos dëshmitarëve dhe informatave që tashmë i ka Prokuroria Speciale po shfrytëzon edhe burime tjera të informacionit dhe dosje edhe jashtë Republikës së Kosovës.

“Jemi duke analizuar edhe dosjet nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë dhe nga aty jemi duke marrë informata të rëndësishme për këtë rast”, njoftoi prokurorja Hajdari.

Ajo bëri të ditur se në përfundim do ta analizohen në detaje provat dhe dëshmitë lidhur me rastin.

Prokurorja Drita Hajdari përfaqëson edhe aktakuzën për Krime Lufte në Krushë të Vogël ndaj të akuzuari Darko Tasiq.

Gjykimi për krime lufte, dëshmitari rrëfen si dëgjoi britmat e viktimave në kamionin e djegur

Në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre, gjatë ditës ka pasur vizita të shumta në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, ndërsa nga ora 11:00 është organizuar akademi përkujtimore në “Shtëpinë e Kulturës” në Shtime.

Thaçi në Reçak: Drejtësia ndërkombëtare heshti për mos t’ia prishur qejfin Serbisë

.