Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Heshtja 5 muajshe e Prokurorisë për kallëzimin penal ndaj presidentit Thaçi

Sot u bënë 5 muaj nga dita kur ish-zëvendësministri i Qeverisë Kurti, Xhelal Sveçla, dorëzoi në Prokurori kallëzimin penal ndaj presidentit të shtetit, Hashim Thaçi.

Sveçla kallëzimin penal kundër Thaçit e bëri për shkak të deklaratës së tij të datës 23 mars për të mos respektuar vendimin e Qeverisë për kufizimin e lëvizjes.

“Qytetarët nuk janë të obliguar t’i respektojnë vendimet kundër-kushtetuese dhe për këtë askush nuk mund t’i dënojë ata. As Policia e Kosovës dhe as organet e drejtësisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim kundërkushtetues të Qeverisë sepse kështu edhe vet bëjnë vepër penale”, kishte deklaruar presidenti Thaçi më 23 mars 2020.

Për Sveçlën kjo deklaratë përbën veprën penale – thirrje për rezistencë, për të cilën Kodi Penal parasheh dënim me burgim deri në 3 vjet.

KALLXO.com i ka dërguar që nga muaji prill Prokurorisë së Prishtinës pyetje se çfarë veprime procedurale janë ndërrmarrë lidhur me këtë kallëzim penal.  Prokuroria ka kthyer përgjigje, duke thënë se lënda për trajtim gjendet në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Ndërsa, Prokuroria Speciale nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com lidhur me këtë kallëzim penal.