Gjykata e refuzon pranimin e fajësisë ndaj të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik
Është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit Gëzim Dalipi, i cili po akuzohet nga Prokuroria për veprën penale ‘rrezikim i trafikut publik’.
I njëjti po akuzohet nga Prokuroria se gjersa ishte duke drejtuar automjetin e tipit, ”Hyundai”, në drejtim të lagjes Velani, duke lëvizur në rrugën me kryqëzime të një pas njëshme në distanca të afërta, me të arritur në vendin e lartcekur, këmbësori – fëmija NN, ka filluar kalimin-trupimin e rrugës nga ana e djathtë në të majtë dhe si pasojë e mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit, i pandehuri nuk arrin ta ndal automjetin e tij, dhe e godet me pjesën e parë ballore të anës së djathtë, në pjesën e majtë fëmijën NN duke e hedhur në rrugë.
Sot në Gjykatën e Prishtinës më 27.09.2024 fillimisht u lexua aktakuza nga prokurori Nazmi Krasniqi, ndërsa pas leximit të aktakuzës seanca vazhdoi me deklarimin e të pandehurit lidhur me veprën penale të cilën po akuzohet nga Prokuroria.
“E ndjej veten të fajshëm ngase e kam goditur fëmijën por dy (2) metra para se me mbërri te fëmija ka dalur papritmas dhe unë kam ikur në anën e majtë dhe e kam goditur me pjesën e djathtë të kerrit” – tha i akuzuari Dalipi.
Mbrojtësja e të akuzuarit Lindita Rexha kërkoi nga gjykata që ta aprovoj pranimin e fajësisë.
“E mbështes deklarimin e të mbrojturit dhe kërkoj nga gjykata që të aprovoj pranimin e fajësisë për të mbrojturin tim” – tha mbrojtësja e të akuzuarit Gëzim Dalipi, avokatja Lindita Rexha.
“Nuk e kundërshtojmë pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit pasi që një pranimi tillë i fajësisë gjen mbështetje në prova që i janë bashkangjitur aktakuzës andaj i propozoj gjykatës që të aprovoj pranimin e fajësisë dhe të pandehurin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit dhe lidhur me përcaktimin dhe llojin e lartësisë së dënimit gjykatës i propozojmë që si rrethana rënduese të merr parasysh shkallen e lartë të pjesëmarrjes në veprën penale pasi që i pandehuri është shkaktar kryesor i veprës penale po ashtu si rrethanë rënduese i propozojmë gjykatës moshën e viktimës pasi që e dëmtuara në momentin e shkaktimit të aksidentit ka qenë e moshës 5 vjeçare” – tha prokurori Nazmi Krasniqi.
“Ndërsa si rrethana lehtësuese gjykatës i propozojmë të ketë parasysh pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të pandehurit në të gjitha fazat e procedurës, keqardhja e shfaqur nga ana e tij si dhe sjellja e të pandehurit pas rastit të ndodhur” – shtoi tutje prokurori Nazmi Krasniqi.
Po ashtu prokurori i propozoj gjykatës që të pandehurit të i shqiptohet edhe dënimi plotësues ndalimi i drejtimit të automjetit për kategorinë B pasi sipas tij në rastin konkret është plotësuar kushti ligjor që t`i shqiptohet ky dënim plotësues pasi që si rezultat i lëshimeve të të pandehurit ka pasoja të rënda përkatësisht e dëmtuara ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Gjykata mori aktvendim që të refuzohet pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit Gëzim Dalipi pasi që gjykata konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për një pranim të tillë.
Ky rast po trajtohet në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore ndërsa gjyqtar i çështjes është Dibran Jusufi.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë? Sipas dosjes së Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar mirë se më datën 15.11.2022, rreth orës 20:25 në rrugën “1 Tetori”, në Prishtinë, i pandehuri duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, dhe me këtë nga pakujdesia ka shkaktuar aksident trafiku duke vënë në rrezik jetën e njerëzve.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri gjersa ishte duke drejtuar automjetin e tipit, ”Hyundai”, në drejtim të lagjes Velani, duke lëvizur në rrugën me kryqëzime të një pas njëshme në distanca të afërta, me të arritur në vendin e lartcekur, këmbësori – fëmija NN, ka filluar kalimin-trupimin e rrugës nga ana e djathtë në të majtë.
Tutje sipas aktakuzës si pasoj e mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit, i pandehuri nuk arrin ta ndal automjetin e tij, dhe e godet me pjesën e para ballore të anës së djathtë, në pjesën e majtë fëmijën të dëmtuarën NN, duke e hedhur në rrugë.
Gjithnjë sipas aktakuzës si pasoj e goditjes e dëmtuara NN, pëson thyerje në anën e djathë fronto bazale të kokës, që si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore, lëndime këto të përshkruar me hollësisht në akt ekspertimin mjeko ligjor, të datës 28.01.2023.