Ali Uka- Prokuroria në Gjakovë

Emërohet ushtruesi i detyrës i Kryeprokurorit të Gjakovës

Në takimin e 184-të Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurori në Prokurorinë e Gjakovës, Ali Uka, është emëruar si ushtrues të detyrës së Kryeprokurorit në po të njëjtën Prokurori.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka bërë të ditur se emërimi i prokurorit Ali Uka është bërë deri në zgjedhjen e kryeprokurori të ri, të kësaj prokurorie.

Ky emërim ka ardhur pas vdekjes së ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Gjakovës, Ali Selimaj.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe tashmë ushtruesin e detyrës së kësaj Prokurorie, Ali Uka.

I njëjti ka treguar se vendimin për këtë emërim pret që ta marrë edhe në formë të shkruar.

“Po është e vërtetë jam informuar nga Këshilli Prokurorial për emërimin dhe vendimin për këtë do e marr së shpejti edhe në formë të shkruar”, ka thënë Uka për KALLXO.com.

Sot në fillim të takimit të KPK-së, është mbajtur një minutë heshtje për vdekjen e ish-kryeprokurorit Ali Selimaj dhe prokurorit të Prokurorisë së Gjilanit, Esat Ademi.

Përveç kësaj, në këtë takim është shqyrtuar dhe miratuar Raporti i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, i cili buxhet sipas kryesuesit Bahri Hyseni është shkurtuar.

Poashtu, gjatë këtij takimi është marrë vendim për shpallje të mbrendshme për avancim të 3 prokurorëve në Prokurorinë e Apelit si dhe pjesërisht është miratuar Raporti i Komisionit për vlerësimin e performancës së 7 prokurorëve, 2 prej të cilëve është marrë edhe vendim që të bëhet rivlerësimi nga ana e komisionit.

Pjesë e shqyrtimit ishte edhe Raporti “Gjeogragia e Krimit 2013-2019”, të prezentuar nga anëtari i KPK-së, Arben Ismajli.

Ndërsa, betimin para anëtarëve të Këshillit e ka dhënë anëtari më i ri, Agron Beka, i zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si anëtar i këshillit nga radhët e fakulteteve juridike.