Ekspertët zviceranë 'ekzaminuan' qelinë ku vdiq Astrit Dehari

Tre vite e 11 muaj e 17 ditë nga vdekja e mistershme e Astrit Deharit, sot u vizitua qelia A3 ku ai qëndroi për 78 ditë.

Ishte grupi i ekspertëve zvicërranë, prokurori Afrim Shefkiu, gjyqtari i procedurës paraprake, teknika kriminalistike, një grup hetuesish dhe përfaqësuesi i familjes së dëmtuar të Astrit Deharit që kanë shikuar vendin ku Dehari kishte ndërruar jetë.

Për KALLXO.com lajmin e ka konfirmuar avokati Tom Gashi, përfaqësues i familjes Dehari.

Gashi deklaroi se sot ishte dita e parë që ekspertët zvicrranë që përpiluan raportin e mjeksisë ligjore rreth vdekjes së Deharit kishin ardhur në Kosovë.

“Sot ishte dita e parë që kanë ardhur ekspertët zvicranë të cilët në shtatorin e  vitin e kaluar e kanë përpiluar ekspertizën 60 faqëshe ku e kanë eliminuar teorinë e vetëvrasjes në rastin e vrasjes së  Astrit Deharit”, tha Tom Gashi.

Po ashtu kanë qenë edhe njësiti i caktuar i hetuesve, prokurori, gjyqtari i procedurës paraprake, teknika kriminalistike, vazhdoi ai.

“Kanë qenë dy arsye të thjeshta që kemi shkuar në qelinë ku është vrarë Astrit Dehari”, potencoi Gashi.

Kemi parë qelinë ku ka qëndruar Astrit Dehari për 78 orë dhe zyrtarisht nuk është marrë asnjëherë në pyetje.

Gashi e përshkruajti dhomën ku kishte qëndruar Gashi se kishte katër shtretër dhe gjërat e zakonshme që ka çdo dhomë e paraburgimit.

“Dhoma ku ka qëndruar Astrit Dehari kishte katër shtretër dhe gjëra të tjera që kanë qendrat e paraburgimit, por befasia kanë qenë 2 dyer për të cilat nuk është ditur se ekzistojnë e të cilat janë të lidhura fizikisht me Stacionin Policor në Prizren”, tha Tom Gashi.

Ai sqaroi se në anën e brendshme të burgut kanë parë një derë që ishte shumë afër me zyrën e drejtorit të burgut.

“Nga ana e brendshme e burgut ne kemi parë një derë që është shumë afër me zyrën e drejtorit të burgut dhe që dërgon direkt në Stacionin policor, por që aty nuk kishte pasur kurrë kamerë, po ashtu ishte edhe një derë që ka qenë në pavijonin A – shumë afër qelisë së Astrit që ndërlidh burgun me  në Stacionin Policor. Pastaj nga oborri i qendrës së paraburgimit kemi parë dy dalje që kalojnë në ndërtesën e Stacioni Policor, në njërën prej këtyre dyerve kemi shkuar në Stacionin policor ku nga pjesa e tyre kemi parë dy dyer që janë të njëjta që përputhen fizikisht me dyert nga ana e burgut”, tha Gashi.

Në pyetjen e Kallxo.com se për sa sa kohë kanë kaluar nga dyert e Qendrës së Paraburgimit në Prizren në Stacionin Policor, Gashi tha se: “Është çështje sekondash, sikur dyert e dhomave në një banesë”.

Ai përmendi edhe një derë tjetër që ndërlidh objektin e burgut me Gjykatën e Prizrenit.

“Përveç asaj është edhe një derë që shpie nga burgu në Gjykatën e Prizrenit”, tha Gashi.

Gashi, përmendi se sot u bë vetëm shikimi i vendit të ngjarjes, ndërsa rikonstruimi i vendit të ngjarjes është bërë para dy jave nga Prokuroria ku nuk ishim të pranishëm.

Raportin e autopsisë së përpiluar nga ekpsertët zvicranë mund ta lexoni këtu.