Dosja: Grabitësi nga Matiqani grabiti bankën në Shtime

Prokuroria e Ferizajt ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Kastriot Hysenit e Arben Latifit të cilët Prokuroria po pretendon se me dy shtator kryen grabitjen në filialin e “Raiffeisen Bank” në Shtime.

Sipas Prokurorisë i pandehuri i parë Kastriot Hyseni erdhi nga Matiqani i Prishtinës për t`u bërë bashkë me Arben Latifin nga fshati Talinovc i Muhaxherëve në Ferizaj dhe me qëllim që vetës t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, duke vepruar si anëtarë të grupit paraprakisht e kishin përgatitur planin për kryerjen e grabitjes në bankën Raiffeisen.

Prokuroria thotë se të pandehurit fillimisht i kishin ndarë rolet e pastaj të maskuar, me armë gjysmë automatike së bashku edhe me dy persona të tjerë të pa identifikuar kanë hyrë në “Raiffeisen Bank” dhe nën kërcënimin e armës kanë detyruar punëtorin e Bankës që t’i dorëzoj paratë.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit, Prokuroria pretendon se më tej të dyshuarit nga banka kanë marrë rreth 2540 euro dhe 290 franga dhe më pas në dalje të bankës disa herë kanë gjuajtur me armë gjysmë automatike.

Prokuroria pandeh se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe kanë ikur në drejtim të fshatit Jezerc-Ferizaj me një veturë kombi, të cilën sipas Prokurorisë të dyshuarit më pas e kanë djegur me qëllim të zhdukjes së provave.

Në bazë të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, i dyshuari i parë Kastriot Hyseni, i cili ka qenë në komunikim me të pandehurit e tjerë, ditën e nesërme me tre shtator 2019, me një veturë të tipit “Golf V” ka shkuar në fshatin Viq të Shtërpcës dhe i ka marrë të pandehurit e tjerë dhe i ka dërguar në Prishtinë.

Me rastin e ushtrimit të kërkesës për caktimin e  masës së paraburgimit, Prokuroria ka konsideruar se është përmbushur parakushti themelor që ka të bëjë me ekzistimin e dyshimit të bazuar se është kryer vepra penale e grabitjes, meqë sipas Prokurorisë pas shqyrtimit të thënieve në kallëzim penal si dhe provave të cilat janë siguruar gjatë procedurës paraprake ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e kanë kryer veprën e cila u vihet në barrë.

Me 2 shtator, KALLXO.com raportoi se të shtëna nga kallashnikov e pistoleta ishin dëgjuar në qytetin e Shtimes.

Më pas me 6 shtator, Prokuroria në Ferizaj bëri të ditur se dy persona ishin arrestuar si të dyshuar për rastin e grabitjes së një filiale të një banke që ndodhi në Shtime.

Në një komunikatë, Prokuroria në Ferizaj tha se pas një punë intensive të hetuesve rajonalë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe Gjykatën, ka arritur të identifikojë tre persona të dyshuar për rastin e grabitjes së ndodhur në “Raiffeisen Bank” në Shtime.

“Gjatë këtij operacioni, janë arrestuar të dyshuarit me iniciale K. H., dhe A. L., të cilët me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria thotë se i dyshuari tjetër me inicialet A. K. gjendet ende në arrati.

Shtime: Të shtëna me Kallashnikov, Grabitet banka

.