Ilustrim

Avokati i Popullit për rastin e policëve të Gjakovës: Shkelje prej më të rëndave të të drejtave të njeriut

Prokuroria e Gjilanit në një prononcim për KALLXO.com ka bërë të ditur se është duke e hetuar rastin e komandantit të stacionit policor në Gjakovë dhe 5 zyrtarëve të tjerë policor.

Kristë Gjokaj, Gëzim Biblekaj, Bekim Preqi, Agron Idrizaj, Milot Ukaj e Shaban Limani ishin suspenduar në muajin gusht nën dyshimin se kanë ushtruar dhunë kundër një të dyshuari për grabitje vitin e kaluar.

Për KALLXO.com, zyrtarja për informim të mediave në Prokurorinë e Gjilanit, Liridona Xheladini tha se Prokuroria e Gjilanit është duke e hetuar këtë rast dhe se me 2 tetor rasti i është ndarë në punë prokurorit kompetent.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Institucionin e Avokatit të Popullit për të marrë një qëndrim lidhur me rastin në fjalë.

Në një prononcim për KALLXO.com, avokati i popullit, Hilmi Jashari rastin e ka cilësuar si një ndër shkeljet me të rënda të të drejtave të njeriut.

“Kemi komunikuar me institucionet përgjegjëse me inspektoratin dhe drejtorinë e Policisë dhe kemi dhënë sugjerimet për veprimet që do të duhej me u marrë. Në anën tjetër për atë që ka ndodhur nuk diskutohet se është shkelje prej më të rëndave të të drejtave të njeriut është i ndaluar ushtrimi i dhunës e aq më tepër në situatat kur personat ndodhen në stacion të policisë”, është shprehur Avokati i Popullit.

Kristë Gjokaj, Gëzim Biblekaj, Bekim Preqi, Agron Idrizaj, Milot Ukaj e Shaban Limani ishin suspenduar në muajin gusht nën dyshimin se kanë ushtruar dhunë kundër një të dyshuari për grabitje vitin e kaluar.

Disa ditë pas suspendimit, zhytarët policor ishin kthyer përsëri në vendin e punës.

Policia e Kosovës me rekomandimin e Inspektoratit të Policisë së Kosovës e kishte ndërprerë suspendimin e përkohshëm për zyrtarët policorë të Gjakovës dhe kishte vendosur që ata të kthehen në vendin e tyre të punës.

Madje në Gjakovë u protestua për përkrahje të komandantit të Policisë, Kristë Gjokaj dhe 5 policëve të tjerë.

“Ktheni mbrojtësit tonë në detyrë”, ishte njëra nga pankartat që ishte mbajtur në duar nga protestuesit në Gjakovë.

Me anë të protestës, protestuesit kishin kërkuar kthimin në detyrë të Komandantit Kristë Gjokaj, dhe oficerëve të lartë të policisë, eprorëve Gëzim Biblekaj, Bekim Preqi, dhe policëve Agron Idrizaj, Milot Ukaj, e Shaban Limani.