Avokati Halilaj pretendon se u sulmua nga bodigardi i Sami Lushtakut

Avokati Gazmend Halilaj, i cili ishte sulmuar me armë zjarri ditë ma parë, ka reaguar pas arrestimit të dy personave të dyshuar për sulmin ndaj tij. Halilaj në reagimin e tij pretendon se sulmuesit kanë lidhje direkte me kreun e PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku.

”Unë e flas të vërtetën…, vitin që shkoj ma montuan burgun, aktakuzën pa asnjë ankues. Kur e panë që nuk frikësohem organizuan vrasje barbare, vetëm se sinjalizova edhe një krim. Njëri prej tyre është Ibrahim Lushtaku, familjar dhe truprojë i urdhërdhënësit Sami Lushtaku”, ka shkruar Halilaj.

KALLXO.com ka provuar disa herë të kontaktojë më ish-kryetarin e Skenderajt, aktualisht kryetar i PDK-së në Skenderaj, Sami Lashtaku, për të marrë qëndrimin e tij lidhur me pretendimet e avokatit Gazmend Halilaj, mirëpo i njëjti nuk u është përgjigjur thirrjeve të KALLXO.com, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.

Njëri nga të arrestuarit, sipas avokatit Gazmend Halilaj, është Ibrahim Lushtaku, familjar dhe truprojë i Sami Lushtakut.

FOTO: FCB – Ibrahim Lushtaku dhe Sami Lushtaku

Sami Lushtaku në ditën kur ishte sulmuar avokati Gazmend Halilaj, kishte reaguar në Facebook, ku kishte kërkuar zbardhjen e rastit nga organet e drejtësisë.

Poashtu KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me Prokurorinë e Prishtinës për të marrë më shumë informacione rreth dy të arrestuarve, mirëpo nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se lidhur me rastin “Vrasje në Tentativë”, i cili kishte ndodhur me datën 14.04.2020 në Drenas, pas hetimeve intensive ka arritur të identifikojë njërin prej personave të dyshuar të përfshirë në rast, i cili ka qenë në kërkim nga policia.

Pas identifikimit të tij dje me 22.04.2020 rreth orës 15:30 i dyshuari  I. L., është paraqitur dhe intervistuar në polici në prezencë të avokatit të tij, më ç ’rast është dorëzuar edhe një armë, një karikator me katër fishekë, si dhe është treguar vend ndodhja e veturës së dyshuar e cila është konfiskuar.

Hetimet kanë rezultuar se në rast është përfshirë edhe personi i dytë i dyshuar Xh. Z., i cili është ftuar për intervistim nga ana e zyrtarëve policor, po ashtu i njëjti është paraqitur dhe intervistuar nën prezencën e avokatit mbrojtës. Edhe në këtë rast në cilësi të provave materiale janë konfiskuar një armë, një karikator dhe tre fishekë.

Të gjitha veprimet hetimore janë ndërmarr në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe me aktvendim të tij të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes. Për të dyshuarit po hetohet lidhur me rastet “vrasje e rëndë në tentativë, mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve si dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Arrestohen dy të dyshuar për sulmin me armë ndaj avokatit Gazmend Halilaj

.