Ilustrim

Aktakuzë për rrëmbim, armëmbajtje pa leje dhe kanosje

 

Prokuroria e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën e  Mitrovicës, kundër të pandehurve G.G. dhe L.O., në drejtim të veprave penale “Rrëmbimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve“.

Prokuroria ka njoftuar se të pandehurit G.G. dhe L.O., më 24 shkurt 2019, në fshatin Llaushë të Skenderajt, me përdorimin e forcës dhe të kanosjes duke përdorur armën, e kanë marrë dhe mbajtur viktimën M.G., me qëllim që të mos e lirojnë para se i njëjti t’u ofrojë të pandehurve dobi pasurore. Me këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Rrëmbimi”.

Poashtu, i pandehuri G.G., ka pasur në posedim armën e tipit “Skorpion”, dhe me veprimet e tij dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve.

Ndërkaq, i pandehuri L.O., më 25 shkurt 2019, e ka thirrur dhe kërcënuar seriozisht viktimën M.G., me çfarë dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosje“.

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës në Mitrovicë, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit.​