Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Vëllai i ish-ministrit Buja mori mijëra euro për ta regjistruar një nxënës në fakultet

Abdyl Buja, vëllai i ish-ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, po akuzohet se mori ryshfet mijëra euro për ta regjistruar një person në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Për të njëjtën vepër penale si Abdyl Buja akuzohet edhe Feti Ismajli.

Pika e 6 e aktakuzës thotë se Feti Ismajli i mundësoi Albisjan Fazliut regjistrimin në Fakultetin e Mjekësisë, në degën e Stomatologjisë, në vitin akademik 2011/2012.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Feti Ismajli i ka vënë në kontakt Albisjan Fazliun dhe babanë e tij, Muhib Fazliun, me Abdyl Bujën.

Me këtë, sipas Prokurorisë, Feti Ismajli i ka ndihmuar të pandehurit Abdyl Buja të përfitonte materialisht.

Prokuroria pretendon se Muhib Fazliu ia ka dorëzuar 3.000 euro Abdyl Bujës në shtëpinë e këtij të fundit, në Bujan të Lipjanit, kinse për t’ua dhënë zyrtarëve të Fakultetit për ta regjistruar në degën e Stomatologjisë.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Muhib Fazliu. Prokuroria po e akuzon për dhënie të ryshfetit.

Për të njëjtën vepër akuzohej edhe djali i tij, Albisjani. Por, këtij të fundit i është parashkruar vepra penale.

Feti Ismajli gjatë seancës së sotme është deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë nga Prokuroria.

Në qershor të këtij viti është veçuar procedura ndaj të akuzuarit Feti Ismajli për shkak të mungesës së tij.

KALLXO.com ka raportuar edhe për një rast tjetër në të cilin ishte i implikuar Abdyl Buja, e që kishte të bënte po ashtu me pazare për regjistrim në Fakultetin e Mjekësisë.

Pazaret në Fakultetin e Mjekësisë, vëllai i ish-ministrit Ramë Buja në bankën e të akuzuarit

www.kallxo.com