Prokuroria tregon planin e sulmit ndaj serbëve në veri për t’i fajësuar shqiptarët

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj S.A., për veprat penale, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, “Mashtrim”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I pandehuri S.A., më 12.07.2018, nga posta e Serbisë, në pjesën veriore të Mitrovicës i ka dërguar një pako të dëmtuarit, R.R., në të cilën pako gjendej një pistoletë e tipit “CZ Vzor 50” e kalibrit 7.65 mm, prodhim çekosllovak, pa numër serik, me një karikator, me gjashtë fishekë, 11 pako ampula të llojit tramadol, 5 pako me ampula të llojit trodon, 18 pako me tabletë bensedin dhe një pamfletë e formatit A4., me logo të Serbisë, me titull “Vrhovna Komanda Oslobodilaqke Vojske Kosova i Metohije”, që në shqip do të thotë “Komanda e lartë e Ushtrisë Çlirimtare për Kosovën dhe Metohinë” përmbajtja e së cilës bënte thirrje për të dëmtuarin dhe qytetarët tjerë serbë si M.R., B.P., S.P., M.N., M.P. dhe D.P., që të bartnin armë nga depot e ndryshme të Mitrovicës, me qëllim që të ndërmerren sulme dhe të përdoret dhunë fizike ndaj qytetarëve serbë në mënyrë që para bashkësisë ndërkombëtare t’i fajësojnë shqiptarët.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’.

Gjithnjë sipas prokurorisë i pandehuri S.A., që nga viti 2017 në vazhdimësi, ka mashtruar shumë qytetarë, duke u prezantuar si zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi, dhe si përfaqësues i organizatës për të sëmurët me diabet, dhe se në emër të punësimit të tyre  u ka marrë  para në të dëmtuarit R.R., në shumën prej 7000 euro, të dëmtuarit S.R., në shumën prej 2000 euro, si dhe të dëmtuarit M.R., në shumën prej 5000 euro, si dhe shumë të tjerëve u kishte kërkuar para për punësimin e tyre por për shkak të shumave të larta nuk kanë pasur mundësi të ia japin.

Me këto veprime i pandehuri S.A., ka kryer veprën penale “Mashtrimi”

Poashtu i pandehuri S.A., më 12.07.2018, ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim armë në mënyrë të paautorizuar, në mënyrë që pistoletën e tipit “CZ Vzor 50”, e ka dërguar përmes postës së Serbisë, në pjesën veriore të Mitrovicës, në emër të Radomir Repanoviq në fshatin Osojan, ashtu që i njëjti armën e pranuar e ka lajmëruar në polici, armë e cila edhe është konfiskuar.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.