Prokuroria: Tekniku i Pylltarisë lejoi shitjen e qymyrit në treg

Muharrem Basha, teknik i pylltarisë në Drejtorisë për Bujqësi në komunën e Suharekës, i akuzuar për lejimin e transportit të thëngjillit në treg, përmes avokatit të tij ka dhënë fjalën e tij përfundimtare.

Prokuroria e Prizrenit, po pretendon se Basha kreu vepër penale duke e pajisur më 13 korrik 2018 një qytetar me fletë-përcjellje, duke i mundësuar atij transportin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Ervehe Gashi, Muharrem Basha, në cilësi të personit zyrtar ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe ka pasur qëllim që dikush tjetër të përfitojë çfarëdo dobie pasurore.

Prokuroria po konsideron se i pandehuri Basha me dashje ka shkelur ligjin lidhur me detyrat e tij, duke vepruar në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Bujqësisë.

Gjithashtu, i njëjti, sipas Prokurorisë, ka shkelur edhe Ligjin për Pyjet të Kosovës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Muharrem Basha, avokati Pjetër Përgjokaj, i kërkoi gjykatës që klienti i tij të lirohet nga akuza.

Edhe i akuzuari, Muharrem Basha, gjykatësit Artan Sejrani, i dha një fjalë përfundimtare të tij të shkruar.

Ndërsa, prokurorja Ervehe Gashi, kërkoi nga gjykata që i njëjti të dënohet sipas ligjit, me arsyetimin se në veprimet e tija ka ekzistuar dëshira e përfitimit.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet ditën e hënë, me datën 24 shkurt.

Tekniku i pylltarisë në Drejtorisë për Bujqësi në komunën e Suharekës, Muharrem Basha, kishte dalë para Gjykatës së Prizrenit për t’u përgjigjur për akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ku edhe ishte deklaruar i pafajshëm.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.