Prokuroria: Të dyshuarit për ryshfet me subvencione e mashtruan edhe njëri tjetrin

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar masën e paraburgimit për 11 personat e arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti.

Prokuroria po pretendon se të dyshuarit Sadat Shkodra, Luan Statovci, Salih Statovci, Hasan Maxharraj, Berat Nika, Kushtrim Zogaj, Adushe Ukshini, Driton Alaj, Pajtim Krasniqi, Shpejtim Krasniqi dhe Kastriote Bajrami- Sejdiu duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare kanë kërkuar apo kanë pranuar ryshfet nga persona të ndryshëm, kryesisht nga fermerët, në mënyrë që të njëjtit t’i fusin në listat e përfituesve të subvencioneve.

Dyshimet e Prokurorisë janë se fermerët u futën në listën e përfituesve pa e plotësuar asnjë kriter ligjor, por duke dhënë ryshfet (para) ose anasjelltas, kurse disa fermerë të tjerë edhe pse i plotësun kushtet, sipas Prokurorisë të njëjtit nuk u futën në listat e përfituesve pasi që nuk pranuan që të japin ryshfet.

Ndaj të pandehurve Prokuroria ka zbatuar masa të fshehta teknike të vëzhgimit.

Sipas Prokurorisë nga audio dhe video incizimet vërtetohet se të pandehurit në lokacione të ndryshme varësisht nga interesi dhe marrëveshja kanë dhënë dhe marrë ryshfet dhe pastaj paratë i kanë ndarë në mes vete sipas marrëveshjes.

Por Prokuroria pretendon që të dyshuarit jo vetëm që kërkuan dhe pranuan ryshfet nga palë të treta, por ata kanë vepruar duke mos qenë të sinqertë as me njëri tjetrin, pasi që sipas Prokurorisë, të dyshuarit në fjalë e mashtruan edhe njëri tjetrin kur erdhi puna të “ndarja e pazarit”.

“Në mënyrë shumë të qartë paratë e marra janë video incizuar duke iu dorëzuar njëri tjetrit. Të pandehurit paratë  në kartëmonedha të ndryshme kur i ndajnë në mes veti i llogarisin aty për aty fitimin e tyre, në raste të ndryshme sillen me zarfe nga terreni nga persona zyrtarë  të cilat operojnë në terren  dhe tani janë të pandehur  dhe në raste të ndryshme të pandehurit madje edhe tradhtojnë njëri tjetrin sa i përket shumave të fituara sepse  ata nuk i ndajnë në mënyrë proporcionale sipas marrëveshjes duke mos iu treguar njërit tjetrit vlerën e saktë të ryshfetit të marrë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit e lartcekur në marrëveshje paraprake fillimisht i kontaktonin aplikuesit për subvencione në mënyrë direkte apo përmes personave të tjerë dhe i njoftonin se të njëjtin kanë vështirësi që të përfitojnë subvencionin për të cilin kanë aplikuar, e pastaj paraprakisht i njoftonin se mund t’u ofrojnë ndihmë në marrjen e subvencionit por që për këtë duhet të jepnin ryshfet në vlera të ndryshme.

Madje Prokuroria në kërkesën për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve ka deklaruar se ka dëshmitarë të cilët kanë dëshmuar se të dyshuarit i kërkuan ryshfet deri në vlerë prej 30 mijë eurove.

“Dëshmitari V.K,  i cili kishte deklaron se të pandehurit zyrtarë në Ministrinë e Bujqësisë i kanë kërkuar ryshfet shumën prej 30,000.00 (tridhjetëmijë) Euro në mënyrë që të merret një vendim në favorin e tij për të qenë përfitues i një subvencioni (pagesa direkte), i cili pretendonte që ta përfitonte subvencionin ne vlerë prej rreth 90,000.00 (nëntëdhjetë mijë) Euro dhe kjo dëshmohet edhe nga procesverbali i inspektorëve me numër 007770. I njëjti deklaron se inspektori Sadat Shkodra me qëllim është duke ia zvarritur procedurat pasi që para një kohe ishte takuar me axhën e tij A.K dhe i kishte thënë se V.K ka dokumentacion te mangët dhe për t’ia kryer këtë pune duhet të na jap 30,000.00 (tridhjetëmijë) Euro pasi qe i njëjti është vet i treti”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Në lidhje me deklaratën e dëshmitarit, Prokuroria pretendon se ka fakte të cilat mund t’i dokumentojë me audio incizim.

“Gjatë aplikimit te masave te fshehta te hetimit në zyrën e të dyshuarit Luan Statovci kemi dëgjuar biseda mes tij dhe inspektorit Sadat Shkodra duke biseduar për ankuesin V.K dhe duke bërë  plane se si t’ia marrin paratë (ryshfet) në mënyrë që të ia lëshojnë vendimin për përfitimin e subvencionit V.K. Po ashtu dëgjohen edhe zyrtarë tjerë të Ministrisë te cilët i kemi identifikuar siç janë : Berat Nika dhe Hasan Maxharraj, te cilët bisedojnë duke deklaruar se në disa raste se kanë marrë para nga persona te cilët kanë aplikuar për subvencione, duke i përmendur të njëjtit me emra dhe duke përmendur shuma të ndryshme te parave për të cilat thonë se i kanë marrë nga ta dhe po ashtu duke bërë plane që në vitin 2021 të marrin ryshfet shuma të parave prej 25,000.00 Euro për aplikues”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Njëmbëdhjetë të arrestuarit në rastin e njohur tashmë për opinionin si “Subvencionet”, janë paraqitur para gjykatës.

Dhjetë prej tyre po dyshohen për korrupsion ndërsa njëri nga ta për ndihmë pas kryerjes së veprës penale.

Për zbulimin e këtij grupi të të dyshuarve Prokuroria përdori përgjime dhe kreu një sërë bastisjesh në disa qytete të Kosovës.

Aksioni vazhdoi edhe të nesërmen ku u arrestuan edhe 9 persona të tjerë.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 433.160 euro, 600 dollarë, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë.

Dhjetë nga të arrestuarit gjatë ditës së mërkurë janë zyrtarë institucionalë të cilët u arrestuan në disa lokacione të ndryshme.

Prokuroria ka njoftuar se nga 12 të arrestuarit sa kanë qenë, njëri nga ta është shoqëruar në polici e më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com ka raportuar për një mori bastisjesh të cilat janë realizuar në disa qytete të Kosovës ku cak ishin bujq të ndryshëm të cilët kishin përfituar subvencione.

Dy ditë më parë u gjeten dy çanta me para në dy shtëpitë e të arrestuarve. Njëra çantë është gjetur brenda tualetit të një banese ndërsa një çantë tjetër është gjetur në oborr e cila dyshohet se u hodh nga familjarët e të dyshuarit.

11 të dyshuarit për ryshfet në subvencione, sot dalin para Gjykatës – FOTO