Prokuroria: Të akuzuarit tentuan t’i vrisnin policët duke i shtypur me kamion

Dy prej katër të pandehurve, të cilët akuzohen se shkelën me kamion zyrtarët policorë gjatë tentimit të tyre për të kryer kontrabandë me mallra, nuk janë paraqitur në Gjykatë për t’u ballafaquar me akuzat e Prokurorisë.

Gëzim Zekaj, Burim Shabani, Muharrem Haliti dhe Besim Zeqiri akuzohen nga Prokuroria se më 19.5.2016 rreth orës 02:41, në fshatin Breznicë të Obiliqit, duke transportuar mall të kontrabanduar nuk ishin ndalur në pikën e kontrollit të Policisë.

Ata akuzohen se gjatë një rasti të kontrabandës tentuan t’i shtypnin me makinë dy policë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Burim Shabani pasi e ka parë që nuk mund t’i shmangej ndjekjes policore, me dashje tenton t’i privojë nga jeta policët Rrahim Zabërgja dhe Shkodran Beqiri. Aktakuza sqaron se i akuzuari Burim Shabani ka zbritur nga kamioni i tij, i njëjti ka lëvizur prapa merr shpejtësinë dhe godet veturën e policëve, me ç’rast lëndime të rënda trupore pësojnë policët Rrahim Zabërgja dhe Shkodran Beqiri.

Burim Shabani po ashtu akuzohet nga Prokuroria se ka kryer edhe veprën penale kontrabandë me mallra, pasi që më 19.5.2016, pas mesnate, iu ka shmangur kontrollit doganor me kamion i cili ishte vënë në dispozicion nga i akuzuari Besim Zeqiri dhe kalon vijën kufitare duke bartur mbi 20 mijë litra naftë për eksportim, i ndihmuar nga të akuzuarit Gëzim Zekaj dhe Besim Zeqiri, të cilët ishin në përcjellje me veturën e tyre, duke u siguruar që malli i kontrabanduar të shkojë në destinacion.

Sipas Prokurorisë i akuzuari tjetër, Besim Zeqiri, në bashkëkryerje me Muharrem Halitin, ka falsifikuar dokumentin zyrtar, ashtu që kamionit të tij, i cili nuk ishte i regjistruar në Kosovë, ia ka hequr tabelat origjinale dhe ia kishte vendosur tabelat e një veture tjetër, të cilat i kishte siguruar nga Muharrem Haliti, i cili i kishte marrë nga një automjet tjetër i tipit “Passat”.

Seanca e sotme ka dështuar të mbahet në mungesë të dy prej katër të akuzuarve.

Lidhur me këtë çështje penale, kishin dështuar të mbahen edhe gjykimet e datës 11 shtator 2019 dhe 2 tetor 2019.

Dosja e Prokurorisë: I akuzuari i shkeli me kamion dy polic

Shkak për dështimin e gjykimit ishte mungesa e të akuzuarve Burim Shabani dhe Muharrem Haliti.

Ndaj të akuzuarit Burim Shabani, gjykatësja Naime Krasniqi Jashanica bëri të ditur se kishte lëshuar urdhëresë për verifikim adrese gjatë seancave të kaluara dhe sipas njoftimit zyrtar të pranuar nga stacioni policor në Mitrovicë, rezultoi se i njëjti ndodhej në Suedi.

Për mungesën e të akuzuarit Muharrem Haliti, gjykatësja njoftoi se nga fletë-kthesa konstatohet se adresa është e panjohur.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seancë, seanca e radhës u caktua për datën 7 shkurt.