Prokuroria Speciale thotë se prej 379 materialeve, 142 i janë dorëzuar mbrojtjes

 

Në seancën që po mbahet në Hagë ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit, të akuzuar për pengim të drejtësisë, Prokuroria përmendi 379 materiale.

“Ne i kemi dorëzuar këto ditë mbrojtjes 142 materiale, nga gjithsej 379 materiale, këto materiale kanë të bëjnë me deklarata që kanë bërë të akuzuarit, reportazhe e artikuj të mediave dhe prova të tjera, shumica e tyre në shqip”, tha prokurorja Valeria Bocci.

“Aty ka prova për tri ngjarje, në të cilat janë të përfshirë të akuzuarit”, shtoi prokurorja Bocci.

Ndërsa mbrojtja e Gucatit, Jonathan Elystan Reese, tha se iu nevojitet kohë për dorëzimin e dosjes gjyqësore dhe këtë ta bëjnë 4 muaj pas parashtrimit të dosjes paraprake nga Prokuroria.

“Ne propozojmë datën 20 korrik, për ta dorëzuar dosjen gjyqësore, që domethënë 4 muaj pas 9 prillit, kur Prokuroria do të parashtrojë dosjen e saj paraprake. Kjo do na jep mundësi, që të përgjigjemi për argumentet tona”, theksoi avokati Reese.

“Ne duam të hetojmë çështjet e rrethanave, të flasim me dëshmitarë që kanë qenë të përfshirë në këtë, po ashtu të kuptojmë se si ato 3 pako materialesh erdhën në selinë e OVL-UÇK, kjo pasi që ne s’kemi qenë në gjendje të bëjmë hetimin siç duhet për shkak të Covid-19”, shtoi ai.

Avokati Reese po ashtu propozoi që, fillimi i gjykimit për këtë çështje penale, të bëhet me datën 30 ose 31 gusht 2021.

Ndërsa mbrojtja e Haradinajt, avokati Toby Cadman u dakordua me avokatin Reese sa i përket dorëzimit të dosjes gjyqësore dhe kërkoi nga Prokuroria që të marrë parasysh kërkesat e mbrojtjes.

“Ne do të punonim lehtësisht nëse do na dorëzohej një pako, që ka të bëjë me inçizimet, përkthimet, e transkriptimet. Ne duhet të vërtetojmë se ato transkriptime janë të sakta, ne s’mund të mbështetemi vetëm në fjalët e Prokurorisë, pasi çdo gjuhë ka dialektet e saj”, theksoi avokati Cadman.

Nasim Haradinaj po akuzohet bashkë me kryetarin e OVL-UÇK-së, Hysni Gucatin për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Haradinaj dhe Gucati kishin dalë para dhomave të Specializuara në kohën kur ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë.

Ata po qëndrojnë në masën e paraburgimit që nga koha kur ishin arrestuar në Kosovë.

Sipas aktakuzës në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik, në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik

Sipas dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Aktakuza kundër tyre ishte bërë publike me 14 dhjetor të këtij viti.

Gucati dhe Haradinaj ishin arrestuar gjatë muajit shtator në zyrat e OVL-UÇK-së dhe ishin transferuar në Hagë.

Prokuroria: Nuk do të thërrasim të gjithë dëshmitarët që paraqiten në rastin e Haradinajt dhe Gucatit