Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj Enis Çerkes ish-këshilltarit të Selim Selimit

Ndaj Enis Çerkës, ish -këshilltarit të fundit të ministrit të drejtësisë Selim Selimit, janë pushuar hetimet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Enis Çerka së bashku me disa persona të tjerë po dyshohej  për veprën penale ndihmë e mbetur në tentativë për posedim, shitje, shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas Prokurorisë bëhej fjalë për 113 kilogramë narkotikë të llojit heroinë.

Fillimisht ky rast ishte trajtuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës- Departamenti i Krimeve të Rënda por më vonë ishte bartur për shqyrtim në Prokurorinë Speciale.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj për KALLXO.com deklaroi se “ Lidhur me këtë çështje penale janë hetuar disa persona, për disa prej tyre është ngritur aktakuza e për disa të tjerë janë pushuar hetimet”.

Në pyetjen e KALLXO.com se në mesin e personave për të cilët janë pushuar hetimet a është edhe Enis Çerka,  kryeprokurori special tha shkurt “po”.

KALLXO.com kishte raportuar në dhjetor të 2018 për paraburgimin që Gjykata e Prishtinës, kishte caktuar  Enis Çerkut  dhe 3 perosnavë të tjerë pasi ishte bindur se kishin fshehur veturën-mjetin me të cilin ishte kryer vepra penale për bartjen e narkotikëve.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte propozuar caktimin e paraburgimit ndaj këtyre katër personave pasi që sipas prokurores së rastit Bukurie Gjonbalaj, ekzistonte  dyshimi i bazuar se i pandehuri Labinot Zeneli në bashkëkryerje me Sadik Shalën, Xhemail Shalën, Mehmet Gjinin dhe me persona të tjerë deri më tani të paidentifikuar nga Kosova, Shqipëria dhe nga Maqedonia në vazhdimësi kanë eksportuar dhe importuar pa autorizim substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo analoge me qëllim të shtijes apo shpërndarjes, kështu që me datë 2 dhjetor 2018 nga pjesëtaret e Policisë u janë gjetur tri valixhe me substanca narkotike në sasinë 113 kg e  507 gramë të llojit heroinë.

Këto vepra të dyshuarit pretendohet se i kanë kryer me një veturë të tipit BMW, veturë e cila thuhet se ka qenë në pronësi të të dyshuarit Labinot Zenelaj.

Sipas Prokurorisë  të dyshuarit e tjerë Selim Çerka, Enis Qerka e Gent Selaci dyshohen se të dyshuarit të parë Labinot Zenelaj i kanë premtuar se do ta fshehin veturën e tipit BMË, veturë e cila thuhet se ka qenë e futur në sistemin e Policisë për ndalesë, në atë mënyrë që më  8 dhjetor 2018  të dyshuarit me veturën e lartcekur janë ndalur nga Policia në pikën kufitare Hani i Elezit në dalje për në Republikën e Maqedonisë, të cilën veturë ka qenë duke e drejtuar Selim Çerka.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve tre të dyshuarit e tjerë Selim Çerka, Enis Qerka e Gent Selaci kishin për të kryer veprim kriminal në formë të bashkëpunimit të kryerjes së veprës penale ndihmë e mbetur në tentativë në kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge.