Foto nga materiale propagandistike të ISIS ku u bëhet thirrje besimtarëve t'u bashkohen 'Shtetit Islamik'

Prokuroria: Si paguheshin tri gratë kosovare nga ISIS-i?

Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tri grave të kthyera nga Siria, nën pretendimin se M.T., V.T-D., dhe Sh.T me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste ISIS duke shkuar në Siri dhe duke iu bashkangjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS, si dhe duke e përkrahur këtë organizatë, veprimtarinë dhe qëllimet e saja.

M.T., V.T-D., dhe Sh.T., Prokuroria po i akuzon për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist.

Aktakuza përshkruan se pasi që bashkëshorti i të pandehurës M.T., ka qenë në Siri për disa muaj dhe është kthyer për një kohë të shkurtë, e gjithë familja ka vendosur që t`i bashkëngjitet luftës për Shtetin Islamik, edhe pse e kanë ditur se veprimi i tillë është kundërligjor.

Ashtu që sipas Prokurorisë e pandehura V.T-D. me bashkëshortin e saj dhe vajzën e vogël, më 05 tetor 2014, përmes pikës kufitare Hani i Elezit, me veturë kanë dalë nga Kosova dhe kanë shkuar në Shkup, e nga Aeroporti i Shkupit me aeroplan për në Turqi dhe më pastaj në Siri.

Në aktakuzë thuhet se e pandehura M.T. me bashkëshortin e saj më 04 nëntor 2014, në mënyrë të njëjtë kanë udhëtuar në Siri, kurse e pandehura Sh.T., nëna e të pandehurave M.T., V.T-D., më 21 shtator 2015, së bashku me dy djemtë e saj, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ka shkuar për në Turqi dhe nga Turqia në Siri, ku, secila veç e veç, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik, iu kanë ofruar shërbime logjistike anëtarëve meshkuj të familjes të cilët aktivisht kanë luftuar, e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të Shtetit Islamik, deri sa ISIS-i e ka pësuar disfatën e plotë kur kanë qenë të detyruar që të dorëzohen te forcat Kurde të cilët pastaj i kanë depërtuar në Kosovë më 24 maj 2019.

Gjatë muajit prill 32 gra janë kthyer nga Siria pas një aksioni masiv të rikthimit të kosovarëve nga atje.

Gratë e kthyera nga Siria pretendohet se kanë qenë duke qëndruar në Siri në kohën e luftimeve, bashkë me burrat përkatësisht baballarët e tyre.

Nga Siria bashkë me rreth 110 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë të kosovarëve që kanë luftuar përkrah grupeve të ndryshme në Siri e Irak, janë kthyer edhe katër të dyshuar për pjesëmarrje si luftëtarë në këto luftëra.

Nga 110 të kthyerit , 32 prej tyre janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra.

Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.

Sipas të dhënave në Siri vazhdojnë të jenë rreth 30 luftëtarë, 49 fëmijë dhe tetë gra.KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë rast, raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

24 grave të kthyera nga Siria u vazhdohet masa e arrestit shtëpiak, katër të tjera lirohen

Në shtator të këtij viti, Gjykata e Prishtinës e shpalli verdiktin e parë ndaj njërës prej grave të kthyera nga Siria.

Dënimi i parë për gratë e rikthyera nga Siria