Foto: Kallxo.com

Prokuroria sfidon alibinë e të akuzuarit për vrasjen e shqiptarëve në lagjen ‘Kristal’ të Pejës

Sot ka filluar gjykimi ndaj Zoran Gjukiqit akuzuar për vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen Kristal të Pejës në kohën e luftës në vitin 1999.

Zoran Gjukiq ishte deklaruar edhe më parë i pafajshëm për vrasjet e 29 marsit 1999, ndërsa të njëjtën e përsëriti edhe sot para gjykatës

Prokurorja e rastit Habibe Salihu, tha se gjatë këtij shqyrtimi do të vërtetohet se i akuzuari Zoran Gjukiq “ka kryer krimet në lagjen Kristal”.

“Kjo do të provohet me anë të dëshmitarëve”, tha ajo duke përmendur emrat e një numri të dëshmitarëve të cilët pritet të dëgjohen gjatë këtij procesi gjyqësor.

“Provat materiale si kopja e listës e datës 2.6.1999 e lëshuar nga MPB në Pejë nga e cila vërtetohet se janë 289 rezerviste serbë dhe nga kjo listë vërtetohet se i akuzuari ka qenë i angazhuar edhe me datën 21.04.1999, fotografitë nga KMDNJ të policit të uniformuar në mesin e të cilëve është edhe Zoran Gjukiq”, tha Prokurorja.

Ajo hodhi poshtë albinë e mbrojtjes së Gjukiqit me të cilën pretendohej se personi me emrin Zoran Gjukiq që kishte marrë pjesë në këto krime, tashmë ka vdekur.

Prokuroria pretendon se ka siguruar prova që personi me emër e mbiemër të njëjtë ka vdekur në gusht të vitit 1989, 10 vjet para ngjarjeve tragjike në Pejë.

‘Si dëshmitar Florim Mamaj do të dëshmojë në lidhje me babain e tij Riza Mamaj në ditën kur është vrarë”, tha prokurorja Habibe Salihu.

Poashtu edhe përfaqësuesi i palëve të dëmtuara të familjeve Zeqiraj dhe Berisha, avokati Kujtim Kërveshi, deklaroi se e mbështet në tërësi fjalën hyrëse të prokurores së rastit Habibe Salihut.

Ndërsa avokati Ljubomir Pantovic, mbrojtës Zoran Gjukiqit, në fjalën hyrëse deklaroi se nuk e kundërshton faktin se me 29 mars 1999 janë kryer krime në lagjen Kristal “por ne do ta vërtetojmë se Zoran Gjukiq nuk ka marrë pjesë në këto krime”.

‘’Aktakuza nuk është e pranueshme sepse nuk është e bazuar nga prova të pabesueshme, dëshmitarët e prokurorisë nuk kanë dijeni direkte kundër Zoran Gjukiqit, identifikimi në fotografinë pas 20 viteve është dëshmi problematike. Për të gjitha së bashku, mbrojtja konsideron se trupi gjykues do të bindet se nuk ka prova përtej dyshimit të bazuar që mund ta vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit. Prokuroria nuk mund të vërtetojë se Zoran Gjukiqi është fajtor për veprat që akuzohet”, tha avokati Ljubomir Pantovic.

Ai u ankua se Prokuroria në aktakuzë nuk ka propozuar që si dëshmitarë të thirren edhe personat që dëshmojnë në favor të Zoran Gjukiqit.

Zoran Gjukiq akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, të veshur me uniforma policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar fizikisht dhe psikikisht, kanë plaçkitur dhe i kishin detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kanë vrarë.

Sipas prokurorisë, Zoran Gjukiq akuzohet për veprat penale krime lufte në shkelje të rëndë të Konventës së Gjenevës dhe krime lufte në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar.