Salih Mustafa - 14.12.2020

Prokuroria: Salih Mustafa vazhdon të mbetet në ndalim

Zyra e Prokruorit të Specilizuara ka theksuar se Salih Mustafa duhet të mbetet në ndalim.

Prokurori Cezari Mihalquk, në konferencën e Apelit të enjten ka deklaruar se i akuzuari ose i dënuari duhet të vazhdojë të qëndrojë në ndalim, pasi sipas tij ka rrezik jo vetëm të pengimit të procedurës por edhe të largimit.

“Pas dënimit me 26 vjet heqje liria ne besojmë se ekziston rreziku i largimit të Mustafës. Në pajtim me ligjin për ZPS, ndalimi është rregulli dhe jo përjashtimi. Vendimi i Apelit në çështjen e Gucatit dhe Haradinajt u konfirmua se ekziston prezumimi për mbajtjen në ndalim, andaj lirimi është përjashtimi. Ne si prokurori mbetemi në pozicion se Mustafa duhet të rrijë në ndalim gjatë kësaj periudhe”- u shpreh prokurori Mihalquk.

Fillimisht Julius von Bone, avokat i Salih Mustafës bëri të ditur se në këtë konferencë nuk do të ngrejë asnjë çështje. Ai ka theksuar se këtë do ta bëjë gjatë shqyrtimit gjyqësor në Apel.

Edhe gjykatësja, Mapi Feld-Folia pati qëndrim se një person i dënuar mbetet në ndalim.

“Ndryshe nga faza para dënimit apo faza përgatitore ku kërkohet rishikimi i paraburgimit, në Apel nuk kërkohet kjo gjë”- shtoi Feld-Folia.

Ndërkaq, sa i përket përkthimit të aktgjykimit, gjykatësja njoftoi se versioni i përkthimit do të jetë gati jo më vonë se data 30 mars.

“Versioni përfundimtar i përkthimit do të jetë gati në fund të marsit”- tha ajo.

Në konferencën rreth përgatitjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Mustafa nuk qe i pranishëm në sallë, ai ndoqi seancën përmes videolidhjes.

Ish-komandanti “Cali” në dhjetor të vitit 2022 nga Gjykata Speciale në Hagë u dënua me 26 vjet burgim.

Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai u gjet fajtor për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.

Mustafa është arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas Prokurorisë, ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.