Prokuroria po i heton rastet e dyshimit për keqpërdorim gjatë zgjedhjeve

Përmes një komunikate për media, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar opinionin se është duke i hetuar rastet e dyshimit për keqpërdorime gjatë ditës së zgjedhjeve.

Në ditën e zgjedhjeve me 6 tetor 2019, prokurorët e Prokurorisë së Shteti kanë qenë të angazhuar në parandalimin e cenimit të drejtës së votës dhe ndjekjen penale ndaj kryesve të veprave penale kundër të drejtës së votimit.

Sipas kësaj komunikate thuhet se rastet e paraqitura tek Prokurori i Shtetit dhe ato të filluara me iniciativën e tij, në bazë të informatave të marra nga mediat dhe shoqëria civile, janë trajtuar me përparësi nga prokurorët.

“Deri në ditën e sotme Prokurorit të Shtetit i janë paraqitur tridhjetë e pesë (35) informata për dyzet e një (41) persona nën dyshimin se kanë kryer veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor, prej të cilëve shtatë (7) komisionerë, dhe tridhjetë e katër (34) qytetarë. Për më tej, nga numri i përgjithshëm i këtyre 41 personave, njëzet e pesë (25) prej tyre janë ndaluar (për 48 orë), për dy (2) prej tyre gjykata ka shqiptuar masën e paraburgimit, ndërsa ndaj një (1) të dyshuari, gjykata ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë së Shtetit.

Numri i rasteve të trajtuara nga Prokuroritë Themelore:

  • Prokuroria e Prishtinës i trajtuar gjashtë raste ndaj gjashtë personave, me dyshimin se kanë kryer vepër penale, si në vijim:
  • Prokuroria e Prizrenit: Ka trajtuar dhjetë (10) raste ndaj njëmbëdhjetë (11) personave.
  • Prokuroria e Pejës, ka trajtuar dy (2) raste ndaj tre (3) personave.
  • Prokuroria e Gjakovës ka trajtuar dhjetë (10) raste ndaj dhjetë (10) personave.
  • Prokuroria e Gjilanit ka trajtuar dy (2) raste ndaj tre (3) personave.
  • Prokuroria e Mitrovicës ka trajtuar katër (4) raste ndaj shtatë (7) personave.
  • Prokuroria e Ferizajt ka trajtuar një (1) rast ndaj një (1) personi.

Prokurori i shtetit përmes kësaj komunikate informon opinionin se gjatë këtij procesi zgjedhor për Kuvendin e Kosovës të datës 6 tetor 2019, ka trajtuar këto lloje të veprave penale:

 

  • Një (1) vepër penale “Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar” neni 209 të KPK-së
  • Katër (4) vepra penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” neni 210;
  • Gjashtë (6) vepra penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” nga neni 211;
  • Pesë (5) vepra penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212;
  • Dy (2) vepra penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit”, nga neni 213;
  • Pesë (5) vepra penale “Pengimi i procesit të votimit”, nga neni 214;
  • Pesëmbëdhjetë (15) vepra penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, nga neni 215;
  • Tri (3) vepër penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, nga neni 217;
  • Një (1) vepër penale “Prezantimi i rremë si person zyrtar”, nga neni 409 të KPK-së.