Seanca në rastin e njohur si "Veteranët"

Prokuroria paralajmëron ankesë për vendimin e gjykatës në rastin "Veteranët"

Gjykata e Prishtinës sot ka shpallur aktgjykimin në rastin e njohur si “Veteranët”, duke i liruar nga akuza 12 persona të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të akuzuar në këtë rast janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari

KALLXO.com ka kontaktuar prokurorin e rastit Valdet Gashin, për të pyetur nëse i njëjti do të ushtrojë ankesë në shkallën e dytë.

“Tash po presim aktgjykimin e gjykatës, mandej do të bëjmë një vlerësim të aktgjykimit, por besoj që ankesa është e pashmangshme”, tha  Gashi.

Kurse ish- kryeministri i Kosovës Agim Çeku,  vendimin e Gjykatës e ka quajtur të drejtë dhe të pritur.

“Për mu dhe anëtarët tjerë të komisionit për verifikimin e veteranëve është një aktgjykim i drejtë, i pritur.  Gjatë tërë kohës që nga fillimi e kam ndier veten të pafajshëm, absolutisht të pafajshëm dhe këtë e dëshmuam gjatë këtij procesi. Ndihem mirë se u vërtetuan gjitha ato që i kam thëne edhe para fillimit të procesit edhe gjatë procesit”, shtoi Çeku.

Në anën tjetër i akuzuari tjetër në këtë rast, ish-deputeti Shkumbin Demalilaj tha se pafajësinë ua dedikon  gjithë bashkëluftëtarëve.

“Por këtë pafajësinë time ua dedikoj gjithë bashkëluftëtareve të mi që kanë qenë pjesë e këtyre listave që prokuroria po edhe shumë fatkeqësisht mediume, po e thamë këta pa njohur mirë procesin, pa njohur mirë legjislacionin kemi qenë të kryqëzuara por këtë ua dedikojë gjithë bashkëluftëtareve  të mirë gjithë atyre që emrat e tyre janë dal në këto lista  dhe të dhënat e tyre personale janë shëtit gjithë andej nëpër medium  edhe nëpër rrjete mediale të ndryshme”, shtoi Demalilaj.

Në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88,769,217.04 euro.