Prokuroria: Një i dyshuar në kërkim për vrasjen në Repë të Podujevës

Për shkak të një konflikti pronësor, një person ka mbetur i vrarë dhe një është plagosur në fshatin Repë të Podujevës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, kur edhe është njoftuar Policia dhe bashkë me Prokurorin e Krimeve të Rënda Armend Hamiti kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Prokuroi kujdestar, Armend Hamiti, për KALLXO.com ka konfirmuar se Prokuroria tashmë ka një të dyshuar të cilin po e kërkon.

“Kemi një të dyshuar dhe jemi në kërkim. Kemi disa lokacione në të cilat dyshojmë se mund të jetë i dyshuari, mirëpo për momentin nuk mund të bëhen publike, kurse në bashkëpunim me Policinë jemi duke zhvilluar operacionin e kërkimit” tha prokurori Hamiti.

Prokurori i rastit më herët për KALLXO.com ka thënë se sipas dyshimeve fillestare motivi i vrasjes dyshohet të jetë një pronë, mirëpo për detaje tjera duhet të pritet të merren deklaratat e para të dëshmitarëve.

Nga ngjarja e ndodhur në fshatin Repë në Podujevë, përpos një viktime edhe një person tjetër është plagosur nga përdorimi i armës.

Prokurori Hamiti për KALLXO.com tha se nga informacionet e fundit që ka marrë i plagosuri është operuar dhe është në gjendje stabile shëndetësore.