Prokuroria nis hetimin për festën me gjuajte me armë në Deçan

Prokuroria në Pejë ka nisur hetimet për videon e publikuar nga portali “Sinjali” ku disa persona shihen teksa festojnë duke gjuajtur me armë.

Përmes një njoftimit për media të lëshuar nga Prokuroria në Pejë, bëhet e ditur se tashmë është autorizuar Policia për të ndërrmarrë veprimet e nevojshme.

“Prokuroria Themelore e Pejës, njofton opinionin publik se pas publikimit të shkrimit me datën 11 gusht nga portali online “Sinjali.com” me titullin “Me ‘kallash’ dhe sharkia, ja sesi në Deçan festoi Qeveria”,  dhe pas analizimit të video-incizimeve të këtij artikulli, është​ hapur rast në ketë prokurori dhe njëkohësisht ka autorizuar Policinë e Kosovës që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për identifikimin e kryerësve të mundshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Hetimi është iniciuar për veprën penale, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Në Videon e publikuar nga portali “Sinjali”, shihet se i pranishëm në këtë festë ishte edhe deputetit i AAK-së Daut Haradinaj teksa portali pretendon se i pranishëm ishte edhe Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj.