Prokuroria: Luftëtari i 3 luftërave bleu banesë me para të fituara nga droga

Kanë kaluar thuajse dy vite që kur Gjykata e Prishtinës dënoi me gjobë e burg Shahedin e Sefer Hasanin pasi i shpalli fajtorë për veprën penale posedim të narkotikëve.

KALLXO.com në atë kohë kishte raportuar se Shahedin Hasani nga Gjykata u dënua me 3 vjet burg dhe 14 mijë euro gjobë ndërsa  Sefer Hasani me 2 vjet burg e 6 mijë euro gjobë.

Të njëjtit sot përsëri janë sjellë para Gjykatës mirëpo tash me akuzat se kishin blerë banesa me paratë e fituara nga aktiviteti kriminal.

Shahedin Hasani deklaroi se për veprën që e ka bërë ishte dënuar dhe kishte paguar dënimin.

“Veprën që e kam bërë më kanë dënuar, e kam vuajtur dënimin, e kam paguar 20 mijë euro dënimin” tha ai.

Gjatë seancës së sotme të dy u deklaruan të pafajshëm.

“Nuk është e vërtetë. Unë banesën e kam blerë 3 vite më herët. Nuk e pranoj që e kam blerë banesën me para të kundërligjshme. Nëse e kisha blerë banesën me para të kundërligjshme nuk e kisha qit në emër timin”, tha Shahedin Hasani.

Foto: KALLXO.com

Gjatë seancës ai deklaroi se kishte probleme me dëgjimin sepse ishte invalid ushtarak ngase kishte marrë pjesë në tri luftëra.

Shahedin e Sefer Hasanit Prokuroria u vë në barrë veprën penale të shpëlarjes së parave.

Në bazë të aktakuzës, Prokuroria po i akuzon Shahedin e Sefer Hasanin që me qëllim që të fshehin pasurinë e fituar në mënyrë të kundërligjshme përmes aktiviteteve kriminale me narkotikë dhe të bëjnë atë pasuri të duket si e ligjshme kanë blerë banesa.

Banesat e blera nga të akuzuarit sipas Prokurorisë kishin vlerat 59 mijë e 600 euro dhe 44 mijë e 70 euro.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për arrestimin e të akuzuarve.

Aktakuzë për blerje të banesave me para të drogës

www.kallxo.com