Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Kështu të akuzuarit vidhnin naftë nga ekskavatorët e ‘Bechtel Enka’-s

Në Gjykatën e Ferizajt sot është mbajtur seanca e gjykimit ndaj Bunjamin Lokut, i cili së bashku me Mentor Tushën dhe një të mitur akuzohen se në mënyrë të vazhdueshme kanë vjedhur naftë nga ekskavatorët e kompanisë “Bechtel Enka”.

Para gjyqtarit Ibrahim Idrizi sot u paraqit vetëm Bunjamin Loku.

Sipas njoftimit të Policisë së Kaçanikut, Mentor Tusha, nuk gjendet në Kosovë dhe se ai kishte migruar në Itali.

Për këtë arsye, gjyqtari e veçoi procedurën ndaj Mentor Tushës dhe gjykimi vazhdoi vetëm për Bunjamin Lokun.

Gjatë seancës së sotme Bunjamin Lokut iu dha mundësia që të ketë avokatë të paguar nga shteti pasi që ai, sipas dëshirës së tij, nuk kishte angazhuar mbrojtës. Mirëpo, për shkak se vepra për të cilën akuzohet e parasheh mbrojtjen të obligueshme, atij sipas detyrës zyrtare iu caktua avokati Admir Salihu

Pasi u lexua aktakuza nga prokurori i rastit, Rasim Maloku, Bunjamin Lokut iu dha mundësia të deklarohet rreth fajësisë.

Pasi u konsultua me avokatin, i pandehuri tha se nuk e pranon fajësinë për të gjitha veprat e paraqitura në akuzë, por e pranon vetëm për njërën pikë të aktakuzës.

Gjyqtari Ibrahim Idrizi tha se sipas ligjit nuk mund të ketë pranim të pjesshëm të fajësisë dhe nuk e pranon fajësinë për pikën për të cilën i akuzuari tregon se e ka kryer.

Sipas Prokurorisë, më  17 prill 2017 rreth orës 22:00 në fshatin Bob, komuna e Kaçanikut, Bunjamin Loku dhe Mentor Tusha, së  bashku me një të mitur, kanë tentuar të vjedhin naftë nga ekskavatori “Bechtel  Enka”, kanë shkuar me kanistra për të vjedhur naftë mirëpo janë vërejtur nga roja, me ç’rast njëri nga të pandehurit ka nxjerrë thikën e tjetri një sprej, me të cilat kanë tentuar ta sulmojnë rojën Burim Merzaja.

Tutje, sipas Prokurorisë, më 4 maj 2017 rreth orës 2:40 në fshatin Soponicë, komuna e Kaçanikut, Bunjamin Loku dhe Mentor Tusha, së bashku me një të mitur, kanë vjedhur një sasi të naftës nga ekskavatori i “Bechtel Enka”. Ata me kanistra kanë shkuar te vendpunishtja e firmës, i kanë mbushur kanistrat me naftë, mirëpo pasi janë vërejtur nga roja, Gëzim Bunjaku, njëri nga të pandehurit ka nxjerrë revolen dhe ka kërcënuar me fjalë: “Mos lëvizni se ju qëlloj!”, e pastaj janë larguar në drejtim të panjohur.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 6 maj 2017, rreth orës 3:10, në lagjen Kukaj, në Kaçanik, Bunjamin Loku dhe Mentor Tusha, së bashku me një të mitur, kanë vjedhur dy bateri prej 100 AP, pronë e kompanisë ‘’Bechtel Enka”, në kohën kur ishin duke ruajtur Urim Merzaja dhe Isuf Kuka.

Aktakuza thotë se të pandehurit kanë shkuar te gjeneratori, e kanë hapur me forcë derën e tij dhe kanë marrë dy bateri, e kur i ka vërejtur roja, njëri nga ta iu ka drejtuar me fjalët: “Mos u afroni se ju qëlloj!”, e pastaj janë larguar në drejtim të panjohur.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se më 23 maj 2017 rreth orës 4:50 në fshatin Soponicë, komuna e Kaçanikut, Bunjamin Loku dhe Mentor Tusha së bashku me një të mitur kanë vjedhur 40 litra naftë nga ekskavatori i kompanisë “Bechtel Enka”, kanë shkuar me kanistra tek vendpunishtja, kanë nxjerrë naftë nga ekskavatori e kur janë vërejtur nga roja, Fahredin dhe Sahit Troni, i mituri e ka nxjerrë revolen dhe ka kanosur me fjalët: “Mos u afroni më shumë se ju vras!”, e pastaj janë larguar në drejtim të panjohur.

Me këto veprime sipas Prokurorisë kanë kryer veprën penale vjedhje grabitqare në vazhdim.