Ilustrim

Prokuroria kërkon dënimin e veteranit të UÇK-së, i akuzuar për mashtrim

Veterani luftëtar i UÇK-se, Afrim Morina i akuzuar se ka prezantuar dokument të falsifikuar me qëllim të përfitimit të pagës se statusit të veteranit luftëtar, nuk e ka pranuar fajësinë për veprimet inkriminuese të tij.

Në seancën e mbajtur sot, prokurorja e çështjes Lumturije Vuçetaj ka bërë plotësimin e dispozitivit të aktakuzës, duke specifikuar dëmin material në shumën prej 3,740 euro që i është shkaktuar MPMS-së.

Prokurorja Vuçetaj, poashtu propozoi që ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënimi plotësues, për urdhër për kompensim të dëmit dhe për publikim të aktgjykimit.

Sipas aktakuzës Afrim Morina ka vënë në lajthim organin kompetent, kur në MPMS-së ka prezantuar dokumentin e falsifikuar me qëllim të përfitimit të pagës se statusit të veteranit luftëtar.

Sipas dosjes se Prokurorisë, i akuzuari në Prokurori ka deklaruar se dokumentin e falsifikuar e ka siguruar nga një person të cilin e ka takuar te Enti Social.

“I moshës 35 vjeçare me theks pejan”, e kishte përshkruar i akuzuari personin që ia ka siguruar dokumentin e falsifikuar sipas Prokurorisë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me rastin e ndërprerjes së pensionit, sipas të akuzuarit e ka pranuar një drejtoreshë në zyrë në kuadër të MPMS-së, që i akuzuari ka pranuar informacion se është motra e kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovcit.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, ka deleguar për hetime të mëtutjeshme Prokurorisë se Pejës mbi 7000 aplikacione nga “Dosja e Veteranëve të Rrejshëm”.

Sipas të dhënave qe ka siguruar KALLXO.com deri më tani Prokuroria e Pejës ka ngritur 39 aktakuza lidhur me këtë dosje.

Hetimet për veteranët e rrejshëm, Prokuroria e Pejës akuzoi 21 persona deri më tani – VIDEO

.