Prokuroria, Foto: KALLXO.com

Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit që nuk e respektoi urdhërin mbrojtjes

Në Gjykatën e Prishtinës janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin ku i akuzuar është A. H., për veprën penale mos përfillje e urdhrit të gjykatës që mos t`i afrohet të dëmtuarës Elvedina Hajdari.

Në fjalën e tyre përfundimtare prokuroria kërkoi që të njëjtin ta dënoj sipas ligjit.

“Prokuroria propozon që gjykata ta shpallë fajtor të pandehurin dhe ta dënoj sipas ligjit në fuqi”- tha në fjalën përfundimtare prokurori i rastit.

E dëmtuara në këtë rast mbështeti fjalën e prokurorit të rastit dhe kërkoi që të pandehurit t`i jepet dënim maksimal dhe tha që do të parashtroj kërkesë pasurore juridike.

Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit kërkoi nga gjykata që të lirohet i mbrojturi i tij, tutje i njëjti potencoi faktin që gjykata mos të bie nën presionin e OJQ-ve dhe mediave dhe të nxjerrë aktgjykim të drejtë, dhe i vetmi aktgjykim sipas tij do të ishte aktgjykimi lirues.

Pas përfundimit të seancës Elvedina Hajdari deklaroi para mediave se do të luftojë deri në fund të zbardhjes së drejtësisë.

“Qysh e ceka edhe në praninë e gjyqtarit edhe në praninë tuaj, unë kërkoj një dënim maksimal meritor ndaj të pandehurit, ku tregova që edhe më ka cenuar jetën”, tha Elvedina Hajdari.

“Të them të drejtën kam vuajtur shumë sepse kam pasur padrejtësi, nuk mund të them shumë në tëra anët, po shumë kam pasur padrejtësi në shumë raste, po shpresoj dhe kam me luftu deri në fund, deri sa ta zbardhi drejtësinë edhe të del drejtësia përballë krejt shtetit, me pa bota që drejtësia ka me dalë, ka me luftu deri sa të del krejt”- deklaroi para mediave e dëmtuara Elvedina Hajdari.

Vendimi për këtë rast pritet të merret brenda afatit ligjor të paraparë me kodin e procedurës penale.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, në fshatin e cekur si në aktakuzë në afërsi të shtëpisë së të dëmtuarës i pandehuri në këtë rast A. H., nuk ka përfillur urdhrin e gjykatës Themelorë në Prishtinë.

Urdhër me të cilin i është caktuar të pandehurit në këtë rast të mos i afrohet të dëmtuarës E. H. në distancë prej 10 metrash në vendbanimin e saj. Ndërsa në vende të tjera në afërsi prej 100 metra.

Gjithnjë sipas aktakuzës i pandehuri në këtë rast duke drejtuar veturën i afrohet të njëjtës vrullshëm me veturë në një distancë prej gjysmë metër afër.

Kështu duke kryer veprën penale mos përfillje e gjykatës.