Prokuroria kërkon dënimin e nënkryetarit të Kamenicës

 

Nënkryetari i Komunës së Kamenicës Faton Jakupi, ka dalë edhe sot para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me veprën penale të mosdeklarimit të pasurisë.

Në seancën e sotme, në të cilën u dha fjala përfundimtare e palëve, prokurorja Bahtie Ademi kërkoj nga Gjykata dënimin e të akuzuarit, kurse i akuzuari kërkoj që të lirohet nga përgjegjësia penale, pasi sipas tij nuk e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Duke dhënë fjalën përfundimtare, prokurorja Ademi tha se me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale të mosdeklarimit të pasurisë.

“Gjendja faktike më së miri u vërtetua nga dëshmitarja Lendita Ahmeti, përfaqësuese e Agjensionit Kundër Korrupsion, e cila ka dëshmuar në këtë Gjykatë. Gjendja faktike u vërtetua gjithashtu nga dëshmitari Erduan Hajdini, i cili tha se i akuzuari ka shkuar në auto-sallonin e tij dhe i kanë ndërruar veturat me tani të akuzuarin. Dëshmitari Hajdini gjithashtu tha se vetura e tipit “Range Rover”, ka qenë në pronësi të të akuzuarit dhe se i njëjti ka qenë pronar juridik i asaj veture. Andaj i akuzuari ka qenë i detyruar që në AKK ta deklaroj veturën e njëjtë. I propozoj Gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtorë dhe ta dënoj sipas ligjit”, tha prokurorja Bahtie Ademi.

Kurse i akuzuari Faton Jakupi duke dhënë fjalën e tij përfundimtare tha se vazhdon ta mohoj se e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Prokuroria dhe Agjensioni Kundër Korrupsionit kanë prova të mjaftueshme që unë të lirohem nga akuza pasi kontrata e shitblerjes së automjetit në fjalë është e datës 21.11.2018, kurse formulari i deklarimit të pasurisë është i datës 23.03.2019. Do të thotë nga data e deklarimit të pasurisë nga ana ime e deri kur është ndërruar vetura kanë kaluar katër muaj e dy ditë, që unë kam qenë pronar i veturës. Andaj i propozoj Gjykatës që të më liroj nga përgjegjësia penale”, tha i akuzuari Jakupi.

Shpallja e vendimit në këtë rast do të bëhet nesër, më 26 maj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari Faton Jakupi në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kamenicës edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë, të njëjtën nuk e ka bërë.

Akuza thotë se i akuzuari Jakupi, gjatë vitit 2018 në formularin e dorëzuar më 22.03.2019 në AKK, nuk i ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara dhe nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Range Rover”, edhe pse i njëjti ka qenë në pronësinë e tij.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: LINK