Prokuroria kërkon dënimin e Mentor Golës, i akuzuar për tentimvrasje

 

Në gjykimin ndaj Mentor Golës, të akuzuar për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje, u dha fjala përfundimtare.

Mentor Gola, akuzohet nga Prokuroria se kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit Lorik Lipoveci, nën ndikim të alkoolit duke sharë dhe më pas kishte gjuajtur me armë zjarri.

Në fjalën e tij përfundimtare pakurori i këtij rasti Ali Uka, tha se qëndron pranë aktakuzës së tij, duke kërkuar që i akuzuari Gola të dënohet sipas ligjit.

Ndërsa i dëmtuari Lorik Lipoveci, përmes avokatit të tij Florent Latifaj i kërkoi gjykatës që t’i kompensohet dëmi i shkaktuar dhe i akuzuari të dënohet.

“Në këtë rast ka ekzistu një dashje e madhe me i shku dikujt në shtëpi dhe me e tmerru komplet një familje”, deklaroi avokati Latifaj.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Mentor Gola, avokati Ndrec Dodaj, kërkoi nga gjykata që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

“Unë nuk besoj që prokurori nuk e din as çka ka shkru dhe as çka ka fol dhe më vjen keq që është bërë një vlerësim i tillë i provave dhe nga ana e prokurorit është e turpshme kjo gjë, për të cilën duhet të mbajë përgjegjësi penale. Në këtë rast mund të ekzistoj vetëm vepra penale e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorimi i armës, e jo vepra e vrasjes së rëndë në tentativë”, deklaroi avokati Dodaj.

Avokati Ndrec Dodaj shtoi duke thënë që kjo aktakuzë është një shembull se si nuk duhet të ngritet një akuzë e tillë.

Ndërkaq trupi gjykues i përbërë nga kryetari Gëzim Pozhegu, i ndihmuar nga anëtarët Ilir Rashkaj dhe Myfera Hoxha, caktuan datën 6 dhjetor për shpalljen e aktgjykimit.

Mentor Gola dyshohet se më 5 qershor 2018, nën ndikimin e alkoolit kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit Lorik Lipoveci dhe në momentin kur kishin dalë jashtë gruaja me fëmijët e të dëmtuarit, ai kishte nisur të shante.

Aktakuza shpjegon se i pandehuri Mentor Gola ka gjuajtur njëherë me armë, duke e goditur derën e shtëpisë e pastaj kishte ikur.

Muajin e kaluar, kishte dëshmuar eksperti i balistikës dhe ishte dhënë mbrojtja e të akuzuarit.

Në njërën nga seancat kishte dëshmuar edhe i dëmtuari me gruan e tij.

Dy seanca të këtij rasti kishin dështuar për arsye të ndryshme.

Në muajin nëntor të vitit 2018 mbrojtja e të akuzuarit e kishte kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë, duke thënë se aktakuza duhet të përmbajë veprën e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, e jo për tentimvrasje.

Në seancën fillestare, i akuzuari Mentor Gola e kishte pranuar fajin për posedim të armës pa leje, por jo për akuzën e vrasjes në tentative.

Gjykimi për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje