Foto: KALLXO.com

Prokuroria kërkon dënimin e ish-zyrtarit të Prokurimit të Spitalit të Vushtrrisë

Në Gjykatën e Mitrovicës është mbajtur seanca e gjykimit ndaj ish-menaxherit të Zyrës së Prokurimit  në Spitalin e Vushtrrisë “Sheikh Zayed“, ndërsa Prokuroria në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënimin e të akuzuarit.

Mujë Ferati po përballet me akuzën e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Ferati si person zyrtar në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit në Spitalin “Sheikh Zayed “, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij, me qëllimin që të përfitojë dobi pasurore operatori ekonomik “Kosova Med” nga Prishtina e t’i shkaktojë dëm Spitalit në Vushtrri.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kjo kontratë ishte lidhur edhe pse operatori ekonomik ishte vonuar 8 ditë që t’ia dorëzojë mallin autoritetit kontraktues.

Përkundër kësaj i akuzuari Mujë Ferati nuk kishte ndërmarrë masa ndëshkuese për likuidimin e dëmeve – shqiptimi i penaltive, me ç’rast sipas aktakuzës ishte dëmtuar buxheti i Spitalit në shumë prej 1.187.60 euro.

Më këtë ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës i akuzuari Mujë Ferati ka deklaruar se nuk ndihet fajtor për veprën penale që i vihet në barrë.

Tutje, Gjykata ka vazhduar me dëgjimin e fjalës hyrëse, asaj përfundimtare, paraqitjen e provave dhe marrjen në pyetje të të akuzuarit.

Lidhur me tenderin për furnizimin e Spitalit me pajisje mjekësore prokurori Ismet Ujkani ka kërkuar nga i akuzuari Mujë Ferati sqarime lidhur me faktin se përse urdhri për blerje ishte nënshkruar më 16.12.2013 ndërsa malli siç deklaronte i dëmtuari ishte pranuar me 04.12.2013.

Kurse i akuzuari ka thënë në Gjykatë se pajisja kishte arritur, sipas tij, në Spitalin e Vushtrrisë 13 ditë para skadimit të afatit për llogaritjen e penaltive.

“Me rastin e nënshkrimit të kontratës ceket afati i liferimit me të vetmin qëllim për sigurimin e mjeteve financiare për atë pajisje. Në këtë rast pajisja ka ardhur 13 ditë përpara se t’i skadojë afati për llogaritjen e penaltive. Në rast se do të ishte nxjerr urdhër-blerja menjëherë atëherë plotësisht është e drejtë kërkesa e prokurorit që jemi vonuar në llogaritjen e penaltive, por në rast se operatori ekonomik e vonon pajisjen meqë kemi të bëjmë me fundin e vitit kalendarik atëherë mjetet buxhetore në rast se ekzistojnë në buxhet atëherë do të humbin dhe nuk barten në vitin tjetër, atëherë Spitali i Vushtrrisë ishte dëmtuar për një projekt kapital që është dashur të kryhet në vitin 2013 ndërsa ne duhet ta vazhdojmë procedurën me buxhet të vitit 2014. Për këtë arsye lëshohet urdhër-blerja për furnizim të pajisjes“, tha i akuzuari Mujë Ferati.

Ndërsa me rastin e fjalës përfundimtare prokurori Ismet Ujkani ka kërkuar nga Gjykata që ndaj të akuzuarit të shpallet aktgjykimi dënues.

Prokurori Ujkani tutje ka thënë se nga Spitali është pranuar malli, ndërsa në kontratë ishte paraparë që të bëhet pas lëshimit të urdhër-blerjes, si dhe nuk dihet për cilin mall është lëshuar urdhër-blerja.

Duke mos e kontestuar faktin e vonesës së mallit nga operatori ekonomik siç theksohet në aktakuzë se nuk janë shqiptuar penaltitë nga ana e të akuzuarit si zyrtar i Prokurimit, Ujkani theksoi se mbrojtja e të pandehurit në seancën e shqyrtimit gjyqësor ishte në kundërthënie me mbrojtjen e dhënë gjatë hetuesisë andaj i propozoi Gjykatës që ta hedhë poshtë si të pabazë dhe të paargumentuar.

Kurse, i pandehuri tha se nuk kishte të bëjë fare me vonesën e penaltive – mallit, por kishte 13 ditë përpara se të skadojë afati i liferimit- pranimit të mallit.

“Për këtë ekziston urdhër-blerja dhe urdhër- pagesa të cilat janë në lëndë ndërsa Gjykatës i deklaroj se asnjë pagesë për furnizim nuk mund të bëhet pa u lëshuar urdhër-blerja, është lëshuar me datë 16.12.2013 siç është e precizuar në nenin 2.1 të kontratës, andaj përfundimisht i propozoj Gjykatës që ta hedhë në tërësi pretendimin e prokurorit dhe t’i marrë parasysh faktet relevante të të pandehurit për vërtetimin e gjendjes faktike të precizuar me dokumentacion dhe prova të cilat gjenden në lëndë“, tha i pandehuri në fjalën e tij përfundimtare.

Me këtë ka përfunduar edhe gjykimi i kësaj çështjeje, derisa trupit gjykues me kryetar Tomisllav Petroviq dhe anëtare Nurije Shala e Tatjana Virijeviq, kanë njoftuar se shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet nesër.