Prokuroria kërkon arrest shtëpiak për asamblistin Gëzim Sveçla

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Sveçla po dyshohet për kryerje të veprës penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, pas dëmtimit të një mikrofoni në Sallën e Asamblesë Komunale në kryeqytet.

“Ju njoftojmë se prokurori i rastit në këtë çështje penale ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak të veprës penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” si dhe ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit, si masë për sigurimin e prezencës së tij në procedurë penale dhe se do të ndërmerren me kohë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast” – tha Prokuroria e Prishtinës për KALLXO.com.

Sveçla më 09.12.2024 kishte njoftuar se po dërgohet në mbajtje për 48 orë, pas veprimit që ai bëri, e që ai e vlerësoi vetëm si ‘aksion simbolik’.

“Unë mbiemrin e kam ‘Sveçla’ dhe nga një aksion simbolik që bëra, po më dërgojnë në mbajtje 48h. Por, kjo ndoshta është edhe Kosova që po e ëndërrojmë, pavarësisht mbiemrave të gjithë jemi të barabartë. A jemi, nuk e di?”– ka shkruar Sveçla.

Sipas tij, veprimi i tij ishte ‘për të shpërfaqur një Pazar të madh në Prishtinë’, e madje ai tha se më herët me personat me mbiemra pushtetarësh nuk kanë guxuar as t’i thërrasin.

Sveçla ka arsyetuar veprimin e tij duke thënë se e kishte bërë për të pamundësuar vazhdimin e seancës.

E për veprimin e tij ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës, e cila tha se Sveçla përdhosi institucionin dhe sfidoi parimet bazë të demokracisë.

‘Ky akt është një goditje brutale ndaj vlerave tona institucionale dhe një fyerje ndaj qytetarëve, që presin nga përfaqësuesit e tyre të mbrojnë dhe avancojnë interesat e përbashkëta – jo të shkatërrojnë atë që u përket të gjithëve.’ – thuhet, mes të tjerash, në reagimin e Komunës.

Në reagim gjithashtu thuhet se asamblistët e VV-së kanë bllokuar ‘çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve’, duke përfshirë miratimin e buxhetit, sipas tyre që ‘të krijojnë ngërç dhe të bllokojnë ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët’.

Komuna e Prishtinës reagon ndaj veprimit të Gëzim Sveçlës në sallën e Asamblesë