Gazmend Halilaj- FOTO KALLXO

Prokuroria jep detaje për arrestimin e sulmuesve të dyshuar të avokatit Gazmend Halilaj

Përmes një komunikate për media, Prokuroria e Prishtinës ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme janë arrestuar dy persona lidhur me rastin e sulmit ndaj avokatit Gazmend Halilaj.

Të arrestuarit dyshohen për kryerje të veprave penale të vrasjes në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se më 22 prill 2020, me urdhër të prokurorit të rastit të Departamentit të Krimeve të Rënda të kësaj prokurorie, ka ndaluar personat me inicialet I. L., dhe Xh. Z., për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 173 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës:, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Sipas prokurorisë të arrestuarit dyshohen se me datë 14 prill 2020, rreth orës 15:50, kanë shtënë me armë në drejtim të viktimës, avokatit Gazmend Halilaj dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.​

Vrasja në tentativë ndaj Halilajt ndodhi me 14 prill të këtij viti në Drenas.

Sipas komunikatës së Policisë, pas identifikimit të  të dyshuarit I. L.,  i njëjti me datë 22 prill në orën 15 e 30 është paraqitur në Stacionin Policor ku edhe është intervistuar më pas.

Në polici i dyshuari ka dorëzuar një armë me një karikator dhe 4 fishekë si dhe ka treguar vendndodhjen e veturës së dyshuar e cila është sekuestruar.

Hetimet kanë rezultuar se në rast është përfshirë edhe personi i dytë i dyshuar Xh. Z., i cili është ftuar për intervistim nga ana e zyrtarëve policor, po ashtu i njëjti është paraqitur dhe intervistuar nën prezencën e avokatit mbrojtës.

Në anën tjetër vetë avokati Gazmend Halilaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka deklaruar se sipas tij personi që e ka sulmuar është Ibrahim Lushtaku, familjar i Sami Lushtakut për të cilin thotë se ka qenë ai që e ka urdhëruar sulmin ndaj tij.

Lidhur me lakimin e emrit të tij nga ana e avokatit Halilaj ne kemi tentuar të kontaktojmë me Sami Lushtakun për të marrë një deklaratë nga ana e tij, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Postimi i plotë i avokatit Gazmnd Halilaj:

Une e flas te VERTETEN…, vitin qe shkoj ma montuan burgun, aktakuzen pa asnje ankues. Kur e pan qe nuk friksohem organizian vrasje barbare, vetem se sinjalizova edhe nje krim. Njeri … eshte Ibrahim Lushtaku, familjar dhe truproj i urdherdhenesit Sami Lishtaku”, ka shkruar Gazmend Halilaj.

Ditë më parë në situatën e krijuar për shkak të pandemisë, virusit COVID 19, ish-kryetari i Komunës së Skenderaj Sami Lushtaku kishte shpërndarë disa ndihma për familjet në nevojë në Skenderaj.

Ky veprim i Lushtakut nuk kishte kaluar pa kritika, pasi që i njëjti ishte kritikuar që ndihmat i kishte shpërndarë në pakot me ushqime në të cilat shihej edhe llogo e partisë të cilës ai i përket, Partisë Demokratike të Kosovës.

Lidhur me këtë veprim të Sami Lushtakut kishte reaguar edhe avokati Gazmend Halilaj i cili përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, kishte deklaruar se ndihmat të cilat i kishte shpërndarë Lushtaku ishin nga paratë që sipas tij, Lushtaku i kishte keqpërdorur nga mërgimtarët, para këto të cilat sipas Halilaj, kishin qenë të dedikuara për UÇK-në. Menjëherë pas këtij postimi Halilaj kishte deklaruar se Lushtaku e kishte kërcënuar. Ndërsa tri ditë më pas kishte ndodhur edhe sulmi ndaj avokatit, sulm për të cilin sipas avokatit Gazmend Halilaj qëndron prapa Sami Lushtaku.

Postimi i plotë i avokatit Gazmend Halilaj, lidhur me akuzën që i bënë Sami Lushtakut për keqpërdorim të parave të dedikuara për UÇK-në:

“SAMI LUSHTAKU ndihmat që i dha, ndoshta i bëri me një pjesë të 1 milion e 400 mijë markave gjermane të mërgimtarëve tanë që i ndanë për UÇK-në, që i mori në Tërdec të Drenasit në ora 05:00 të mëngjesit në Qershor të vitit 1999 me Jeset Lushtakun, e që ato para më nuk është ditur nga kanë shkuar…!?

Është trishtuese kur një politikan shqiptar që ka qenë tërë këto 20-të vite në pushtet e që nuk ka lënë asgjë pa privatizuar e rrjedhimisht përvetësuar gjithçka publike në vendin tonë, të kritikojë e akuzojë një anëtar të familjes Jashari se nuk paska punuar për Skënderajn.

Unë isha vet dëshmitar Sami Lushtaku, kur ju i morët ato para, por nuk e di nga shkuan. Edhe një gjë tjetër e di, që UÇK-ja kishte mbetur pa armë jo përse nuk kishte kontribut nga mërgimtarët tanë, por që nuk dihej nga kishin shkuar ato para.

Mos e luani rolin e bëmirësit kur që 20 vite që qeverisët me vendin, i përvetësuat ato të mira publike. Nuk e di si keni fytyrë të dilni të tentoni të bëheni “HalilKastrat”, kur jeni bërë multimilioner me para të taksave të atyre qytetarëve të varfër të këtij vendi.

Duhet të jepni llogari se ku i dëguat 1 milion e 400 mijë marka gjermane, kur i morët nga shtëpia ime më 1999 në 05:00 të mëngjesit..???

Kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte mungesë armatimi, paratë dërgoheshin nga mërgimtarët tanë, por ju nuk e di nga i dërguat..?

Se sa i përketë padrejtësive që i shkaktove këtij populli me përvetësimet që ja bëre nëpër tendera, nuk mund t’i numërojmë.

Bekim Jashari nuk e kundërshtoi bëmirësin, e kundërshtojë shkeljen e krenarisë dhe dinjitetit të qytetarëve që ai i qeverisë. Kundërshtoi emrin e partisë në situatat më të vështira që gjenden qytetarët e këtij vendi, që ishin në gjendje të mjerueshme para përhapjes së Koronavirusit nga KoronaLushtakët e instaluar nëpër gjithë institucionet dhe gjithë ndërmarrjet publike në vend, që marrin paga të majme nga ata qytetarë, e që dhënë tëndera për kompanitë e juaja.

Shihemi në Gjykatë”, kishte shkruar në “Facebook”, Halilaj.

Lidhur me akuzat ndaj Sami Lushtakut, Lushtaku kishte deklaruar se të gjitha ishin shpifje për çka kishte thënë se do ta padiste avokatin.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët lidhur me sulmin që i ishte bërë avokatit Gazmend Halilaj.