Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Inxhinieri i Komunës së Prishtinës u dha leje bizneseve të ndërtojnë banesa mbi rrugë

Në Gjykatën e Prishtinës ishte paraparë të mbahej seanca gjyqësore në rastin e inxhinierit të arkitekturës të Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, Gëzim Ferizi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Por, për shkak se mungoi prokurorja e rastiT, Dulina Hamiti, seanca është shtyrë për ndonjë ditë tjetër.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari duke shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar ka përpiluar dy aktvendime të lejeve ndërtimore për ndërtimin e objekteve banesore afariste, objekti A dhe C, në lagjen “Mati 1”, në Prishtinë, ku investitor është Latif Brajshori.

Gëzim Ferizi po akuzohet nga Prokuroria se ka përpiluar edhe një aktvendim tjetër të lejes ndërtimore, ku investitor është “NNH Morina IB” për objektin B, në lagjen “Mati 1”.

Sipas aktakuzës, pjesa tekstuale e lejes ndërtimore nuk përputhet me pjesën grafike, pasi në pjesën grafike kishte përfshirë një ngastër kadastrale, e cila evidentohet në Komunën e Prishtinës si rrugë. Mbi këtë rrugë u është mundësuar investitorëve të lartcekur të ndërtojnë objekte banesore e afariste, me ç’rast të dëmtuarës Komunës së Prishtinës i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm.

Në seancën e sotme, kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi- Jashanica, bëri të ditur se mungon prokurorja e shtetit, e cila ishte e ftuar përmes telefonit dhe e njëjta kishte njoftuar që do të jetë e pranishme.

“Meqë si trup gjykues nuk mund të presim më gjatë sepse jemi në vazhdim të shqyrtimit të një rasti tjetër që është në procedim e sipër te gjyqtari Vesel Ismajli, kështu që në mungesë të prokurores së shtetit merret aktvendim që shqyrtimi i sotëm të ndërpritet dhe me ftesa të rregullta do të bëhet njoftimi për seancën e radhës,” shtoi gjyqtarja Krasniqi-Jashanica.