Gjykimi ndaj Liridon Uruqit - 02.12.2019.

Prokuroria ia lehtëson barrën penale Liridon Uruqit i akuzuar për vrasjen e Fatlind Arifit

 

Liridon Uruqi i akuzuar për vrasje të rëndë sot është ballafaquar me fjalën përfundimtare të prokurorisë së shtetit.

Në seancën e sotme prokurori i shtetit Agron Uka bëri kualifikimin e veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje të rëndomtë dhe hoqi dorë nga vepra penale e kanosjes.

Ky proces i serishëm ishte urdhëruar nga Gjykata e Apelit pasi që Gjykata e Gjilanit e kishte dënuar Uruqin me 25 vite burg.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Liridon Uruqi, ka vrarë Fatlind Arifin, duke shtënë me armë zjarri dhe nga plagët e marra Arifi kishte ndërruar jetë në spital.

Gjithnjë sipas aktakuzës Liridon Uruqi, të njëjtën armë me të cilën kishte kryer vrasjen, ia drejton fillimisht të dëmtuarve-dëshmitarëve K. H., dhe L. M., pastaj edhe të dëmtuarit, tani dëshmitarit G. A., duke e ngreh këmbëzën e revoles.

Tutje Prokurori i shtetit Agron Uka tha se fjalën përfundimtare e ka përgatitur në formë të shkruar.

“Nuk ekziston vepra penale e vrasjen së rëndë në këtë rast. Kemi ardhur në përfundim se Prokuroria nuk ka mundur të argumentoj se ka ekzistuar vepra e vrasjes së rëndë pasi që për të ekzistuar kjo vepër duhet të ekzistojnë dy pasoja e në rastin konkret nuk i kemi, pra kemi vetëm një pasojë atë të vrasjes së viktimës”, tha Prokurori Uka.

Prokurori gjithashtu tha se: “Ne heqim dorë edhe nga vepra penale e kanosjes pasi që të gjithë dëshmitarët deklaruan se nuk kanë qenë të kanosur nga i akuzuari, andaj në mungesë të provave dhe sugjerimeve të Apelit heqim dorë nga kjo vepër”, tha prokurori Agron Uka.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Hamdi Jashari gjithashtu tha se fjalën e tij e ka përgatitur me shkrim.

“E përkrah fjalën e prokurorit të shtetit dhe shtoj se janë vërtetuar faktet lidhur me fajësinë e të akuzuarit. I akuzuari konsiderojmë se vrasjen e ka kryer me dashje pasi që e ka ditur që mbajtja e armës në dorë mund ta sjell pasojën”, tha shkurt Avokati Jashari.

Gani Arifi (babai i viktimës) tha se e përkrah fjalën e avokatit Hamdi Jashari.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Halimi gjithashtu tha se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim.

“Qëndrojmë pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim. Kërkojmë që në vend të kualifikimit vrasje e rëndë të kalohet në rikualifikimin vrasje nga pakujdesia, kurse sa i përket fjalës përfundimtare lidhur me veprën e kanosjes heqim dorë pasi prokurori hoqi dorë nga ajo vepër. I akuzuari duhet të shpallet fajtor dhe të dënohet për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia“, tha shkurt Avokati Halimi.

I akuzuari Liridon Uruqi deklaroi se e përkrah fjalën e avokatit të tij.

“Shpreh edhe një herë keqardhje për rastin që na ka ndodhur. Kjo ka qenë një sprovë nga zoti edhe pse asnjëherë nuk kam pasur asnjë problem me të ndjerin dhe me familjen Arifi”, tha i akuzuari Uruqi.

Shpallja e Aktgjykimit do të bëhet me datën 04 dhjetor.

Gjykimi ndaj Liridon Uruqit – 02.12.2019