Foto: KALLXO.com

Prokuroria: i akuzuari përfitoi kundërligjshëm mbi 5.000 euro nga Komuna

Në Gjykatën e Gjilanit ka nisur rigjykimi i Florim Ramës, Valdet Xoxës dhe Sami Mjakut, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim në detyrë.

Prokuroria në Gjilan e akuzon Florim Ramën se në cilësinë e menaxherit për mbikëqyrje të projekteve kapitale në Komunën e Vitisë së bashku me të akuzuarin tjetër Valdet Xoxa, i cili ishte drejtor i konsorciumit “Kapital X & Kapital” nga Prishtina, kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Kompania e Xoxës, në vitin 2016, ishte kontraktuar nga komuna e Vitisë për mbikëqyrjen profesionale të projekteve kapitale.

Sipas aktakuzës, Florim Rama e kishte firmosur një raport të Valdet Xoxës rreth një projekti të Komunës së Vitisë edhe pse të dytë e kishin ditur se kompania e ngarkuar për atë projekt nuk e kishte kryer punën.

Ky nënshkrim e kishte obliguar Komunën e Vitisë që t’ia bënte pagesën prej mbi 63 mijë euro kompanisë “Ylli Dekor” në pronësi të të akuzuarit të tretë Sami Mjaku.

Tutje sipas aktakuzës, Sami Mjaku kishte bërë prezantim të rremë të faturave kinse për punët e kryera duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej mbi 5 mijë euro.

Në seancën e sotme u dëgjua eksperti i ndërtimtarisë Regjep Sylejmani dhe dëshmitari Idriz Mehmeti, i cili ishte anëtar i komisionit komunal për pranimin teknik të punimeve të cilat është dashur të kryhen në Komunën e Vitisë.

Eksperti ndërtimtarisë, Regjep Sylejmani, tha se mbetet pranë ekspertizës me shkrim që e ka dorëzuar në Gjykatë.

“Punët e kryera në raport me pagesat e bëra kanë qenë më të mëdha (më shumë janë kryer punë se sa janë bërë pagesa). Në ditarin e ndërtimit shënohet çdo punë e kryer brenda ditës. Atë e përpilon punëkryesi. Të njëjtin e nënshkruan mbikëqyrësi. Në rasin konkret detyrë për ta nënshkruar ditarin e punës ka pasur Valdet Xoxa. Menaxheri i projekteve të Komunës, në këtë rast Florim Rama, nuk e ka pasur obligim që të dalë në vendin e ngjarjes pasi që për atë punë angazhohet një Kompani private për vlerësimin e punëve të kryera”, tha eksperti i ndërtimtarisë.

Tutje, në pyetjet e prokurorit Arben Kadriu, eksperti tha se në rastin konkret për të cilin bëhet fjalë projekti nuk ka pasur plan dhe “nuk e kemi ditur se në çfarë faze kanë mbërritur punimet”.

“Unë e kam punuar ekspertizën vetëm sipas aktvendimit me të cilin jemi angazhuar nga Prokuroria”, përfundoi eksperti Sylejmani.

Në vazhdim u dëgjua dëshmitari Idriz Mehmeti, i cili deklaroi se ka dhënë deklaratë para këtij trupi gjykues dhe se qëndron prapa saj.

“Unë nuk e di se a është kryer ndonjë pagesë para se të kryhen punimet ngase ne si komision komunal për pranim teknik nuk merremi me mënyrën e pagesave, por vetëm merremi me mënyrën se si janë kryer ato punime”, tha dëshmitari.

Kurse, përfaqësuesi i Komunës së Vitisë, Ibrahim Ramadani, tha se si Komunë nuk i bashkëngjiten ndjekjes penale.

“Pasi që Komuna e Vitisë nuk është dëmtuar për asnjë cent, andaj nuk parashtrojmë as kërkesën pasurore juridike”, tha ai në seancën e sotme.

Seanca e radhës do të mbahet në janar, kur do të jepet fjala përfundimtare.

Ky shqyrtim gjyqësor ka nisur nga fillimi pasi që Gjykata e Gjilanit në maj të këtij viti i kishte liruar të akuzuarit në mungesë të provave por në shtator Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, duke pretenduar se aktgjykimi i shkallës së parë është i paqëndrueshëm dhe në kundërshtim me brendinë e tij.