Foto: KALLXO.com

Prokuroria: I akuzuari gjuajti granatën e dorës për t’i vrarë të dëmtuarit

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Rrahim Halili ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Mitrovicës.

Kjo ka ndodhur sepse në mungesë të anëtarit të trupit gjykues, Fatos Sejdijaj, nuk ka pasur kushte ligjore për mbajtjen e seancës.

Kryetari i trupit gjykues Beqir Halili ka njoftuar palët prezentë se i njëjti e kishte njoftuar Gjykatën se nuk mund të prezantojë në seancë.

Gjithashtu ka munguar edhe i dëmtuari Ilmi Rexha, për të cilin gjykatësi u njoftua se kishte vdekur.

Kurse lidhur me këtë gjykatësi Halili ka thënë se do të kërkohet nga shërbimi i ofiqarisë vërtetimi – prova për të vërtetuar faktin se ka vdekur i dëmtuari.

Kurse në mungesë të kushteve ligjore seanca është shtyrë në afat të pacaktuar.

Ndërsa për seancën e radhës siç ka thënë gjykatësi Halili palët do të ftohen me ftesa të veçanta.

Në gjykatore prezentë ishin prokurori i rastit Njazi Rexha, i pandehuri Rrahim Halili me mbrojtësin e tij, avokati Zeqir Berdyna dhe dëshmitarët.

Rrahim Halili akuzohet nga Prokuroria e Mitrovicës se në shtator të vitit 2009 në fshatin Vojnik të Skenderajt, kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes e të cilën nuk e ka përfunduar.

Gjithnjë sipas aktakuzës pas konfliktit të shkaktuar me të dëmtuarin Ilmi Rexha, i pandehuri Halili ishte pajisur me granatë dore të markës dhe tipit të panjohur, niset në drejtim të vendit ku kishin qenë të dëmtuarit Ilmi e Fadil Rexha, e me qellim që t’i privojë nga jeta e aktivizon dhe gjuan granatën e dorës në drejtim të tyre e cila eksplodon mirëpo edhe përkundër eksplodimit askush nga të pranishmit nuk ishte lënduar.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.

Halili po ashtu akuzohet edhe për veprat penale lëndim i lehtë trupor, pengim i personave zyrtarë në ushtrimin e detyrës, dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo këto vepra janë parashkruar dhe tani Rrahim Halili akuzohet vetëm për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.