Foto: Kallxo.com

Prokuroria: Gjilanasi ia shkëputi vajzës zinxhirët e arit nga qafa

Petrit Sopi, i akuzuar për grabitje, doli sot në gjykatën e Gjilanit për t’u përgjigjur në akuzat për të cilat ngarkohet.

Sipas Prokurorisë i akuzuari  Sopi, në muajin gusht 2018, në Gjilan e ka sulmuar të dëmtuarën Miranda Fazliu, duke e kapur fillimisht për flokë dhe duke i thënë që të dalë nga diskoteka.

Pasi ajo kishte refuzuar, i dyshuari, sipas aktakuzës, me forcë ia kishte shkëputur nga qafa dy varëse të arit dhe disa stoli të dorës.

Por pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Arben Kadriu, i akuzuari deklaroi se nuk e pranon fajësinë.

“Unë nuk e kam kryer këtë vepër siç e lexoi Prokurori”, tha shkurt i akuzuari.

Prokurori i shtetit Arben Kadriu tha se “Prokuroria i ka zhvilluar hetimet lidhur me të akuzuarin dhe konsiderojmë se akuza ka bazë ligjore në deklaratat e të dëmtuarave dhe në provat materiale”.

“Konsiderojmë se i akuzuari do të shpallet fajtor dhe do të dënohet sipas ligjit”, tha Prokurori Kadriu.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Faruk Brestovci, e kundërshtoi aktakuzën e Prokurorisë së Gjilanit.

“E dëmtuara në procesverbalin mbi dëgjimin e saj është deklaruar se tani i akuzuari, zinxhirët ia ka kthyer asaj dhe e njëjta ka deklaruar se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe nuk kërkon kompensim. Klienti im nuk mund të akuzohet pasi që i njëjti nuk ka përfituar asnjë dobi pasurore as për vete as për dikë tjetër”, tha avokati Faruk Brestovci.

I akuzuari deklaroi se e mbështet fjalën e mbrojtësit dhe nuk ka çka të shtojë tjetër.

Në seancën e sotme, si dëshmitar u dëgjua Ajvaz Sopi, babai i të akuzuarit, i cili deklaroi se e dëmtuara me djalin e tij kanë qenë në lidhje për dy vjet.

“Miranda Fazliu ka qenë në shtëpinë time dhe ka qëndruar afërsisht 20 ditë. Unë Mirandës ia kam blerë ato stoli për të cilat akuzohet Petriti. Kanë qenë dy qafore, dy unaza të dorës dhe një zinxhir i dores”, tha dëshmitari Sopi.

Ai gjithashtu tha se me familjen e të dëmtuarës nuk kanë pasur shumë kontakte.

“Vetëm njëherë jam takuar me babanë e saj, zinxhirët Miranda vet ia ka dhënë Petritit dhe nuk është e vërtetë se ky ia ka marrë me forcë”, përfundoj dëshmitari Sopi.

Seanca e sotme u shty për muajin janar të vitit të ardhshëm.