Foto: Kallxo.com

Prokuroria fton Kurtin e Konjufcën për të dëshmuar në rastin kundër Thaçit e Veselit

Më shumë se 7 muaj pasi kishin dorëzuar kallëzim penal ndaj Presidentit të Kosovës dhe ish-Kryeparlamentarit, zyrtarët e Vetëvendosjes u ftuan  për të dëshmuar në prokurori.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ish-shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca, në prill të këtij viti dorëzuan një kallëzim penal ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe  Kadri Veselit për dëshmitë e tyre të dhëna në një seancë gjykimi ndaj organizatës ‘Syri i Popullit’.

Kallëzimi penal erdhi pasi që Kurti e Konjufca pretendojnë se Thaçi e Veseli, gjatë dëshmisë së tyre para gjykatës, kanë bërë “deklarime të rrejshme nën betim”.

Përmes faqes zyrtare në “Facebook”, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se nga Prokuroria Themelore kanë pranuar ftesa që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti si dhe nënkryetari Glauk Konjufca të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve lidhur me ketë rast.

“Më në fund një lajm i mirë, pas shtatë muajsh prokuroria ka nisur ta trajtojë këtë rast, dhe kanë ardhur fletëthirrjet që përfaqësuesit e Lëvizjes, Albin Kurti e Glauk Konjufca të paraqiten në prokurori nesër e të japin dëshmitë e tyre lidhur me këtë rast dhe me kallëzimin penal që e kemi ngritur”, thuhet në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti e Konjufca pritet që dëshminë e tyre para Prokurorisë ta japin më 18 dhjetor 2019.

Më 28 dhjetor 2018, Thaçi në dëshminë e tij në gjykatë kishte thënë se Kurti e Konjufca qëndrojnë para organizatës e cila akuzohet se e plagosi avokatin kosovar, Azem Vllasi.

Në mesin e të akuzuarve në këtë rast është edhe ish-zyrtari i VV-së, Sadri Ramabaja.

Ndërsa Kadri Veseli, e kishte quajtur organizatën ‘Syri i Popullit’ si ‘krah i armatosur i Vetëvendosjes’.

KALLXO.com ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore të Prishtinës të cilët për redaksinë tonë konfirmuan lajmin se Kurti e Konjufca janë ftuar që nesër të dëshmojnë lidhur me kallëzimin penal të cilin e kishin deponuar muaj më parë.